Lala, leksion Roshit: Ja si luhet tek Këlni


Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala, vlerëson maksimalisht kalimin e Odise Roshit tek Këlni, por nuk rri pa lëshuar edhe këshillat e para ndaj tij.Odise Roshi, firmosi një kontratë katërvjeçare dy ditë më parë me Këlnin, duke bërë një hap të madh në karrierën e tij, nga Flamurtari i Vlorës në Bundesligën gjermane. Sipas Lalës, është e rëndësishme që talenti shqiptar të stërvitet rregullisht dhe të shfrytëzojë rastet e pakta që mund t’i jepen në fillim, kur të aktivizohet për të treguar cilësitë e tij. Në një intervistë për “Panorama Sport”, kapiteni kuqezi preku edhe ndeshjen me Bosnjën, si dhe miqësoren e luksit me Argjentinën.
Një ditë më parë, Roshi firmosi një kontratë në Bundesligën e parë, si e shikoni këtë lëvizje?
E dija që ditë më parë se do të vinte në Gjermani, pasi kisha folur me Ervin Fakajn. Natyrisht, nuk isha i sigurt se do të pëlqehej që në ditën e parë nga drejtuesit e Këlnit, por më bëhet shumë qejfi që një tjetër futbollist shqiptar arriti të firmosë një kontratë në Bundesligë. Është një arritje, jo vetëm për Odisenë personalisht, por edhe për futbollin shqiptar dhe Kombëtaren. Ai ka nënshkruar për katër vjet, çka do të thotë që drejtuesit kanë besuar shumë tek ai lojtar. Në këtë kontekst, i mbetet Roshit që tani të tregojë veten se vlen.
Sipas jush çfarë duhet të bëjë?
Të ulë kokën dhe të stërvitet shumë, shumë, shumë. Futbolli gjerman ka disiplinë dhe regjim që nuk duhet neglizhuar, pasi në të kundërt herët a vonë do të kushtojë karrierën. Sigurisht, Roshi është djalë i ri dhe nuk mund të pretendojë që në fillim që të luajë në formacionin bazë, por për asnjë çast nuk duhet ta ndiejë veten inferior, të punojë vazhdimisht dhe të jeni të sigurt ju, por edhe ai se nëse punon, atëherë do të shpërblehet.
Besoni se Roshi nuk do të jetë një flok, sikundër ndodhi me Hykën dhe Bakajn?
Le të urojmë se nuk do të jetë kështu, pastaj i treti i vërteti, apo jo? Shikoni, Bakaj nuk pati rast që të luante në Gjermani, pasi bëri vetëm një testim tek Hanover dhe, po të kishte qenë në kushtet e sotme jam 100 për qind i sigurt se do të kishte firmosur këtu. Gjithsesi, ai e ka rrugën e hapur dhe ka një karrierë gjithnjë e në ngritje. Kurse për Hykën, më vjen keq që dështoi tek Manci. Ndoshta, ngaqë nuk pati përkrahjen e duhur nga trajneri dhe drejtuesit dhe i mungoi aktivizimi.
Kalojmë pak tek Kombëtarja, a do të shikojmë të njëjtën skuadër shqiptare në Bosnjë si ndaj Bjellorusisë?
Nuk do të mungojë angazhimi i gjithkujt, këtë ua garantoj me siguri të plotë, por, natyrisht, çdo ndeshje është një histori më vete. Ne do të shkojmë në Bosnjë për të fituar, pra tashmë kemi krijuar një tjetër mentalitet dhe nuk mendojmë vetëm për të mos pësuar shumë gola ose të marrim një barazim. Pretendojmë të bëjmë lojën tonë dhe të ndëshkojmë kundërshtarin, cilido qoftë ai. Natyrisht, nuk duhet as ta mbivlerësojmë dhe as ta nënvlerësojmë Bosnjën.
Po ndaj Argjentinës?Bëhhh, një ndeshje pa shumë rëndësi. Është një miqësore që më shumë se neve do t’u vlejë atyre, pasi Argjentina luan në Kupën e Amerikës, dhe do të testojë skuadrën para këtij kompeticioni. Ndeshje që mua nuk më bën shumë përshtypje.

Vangjeli

Kristi Vangjeli mund të përfundojë edhe në kampionatin anglez të futbollit. Sipas informacioneve, menaxherë të skuadrës së Sauthtemptonit, do të jenë të pranishëm në ndeshjen Bosnjë-Shqipëri, pikërisht për të ndjekur nga afër lojën e mbrojtësit të Kombëtares sonë. Gjithsesi, Vangjeli vëzhgohet nga afër edhe nga menaxherë turq dhe gjermanë dhe, për momentin, dihet vetëm që ai do të largohet nga Arisi i Selanikut. Ndërkaq, Sauthtempton është ngjitur në Championship (Kategoria e dytë) dhe pretendon ngjitjen në Premier League.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment