Inflacioni, FMN dhe BERZH, leksione Bankës së Shqipërisë

Problemi i inflacionit dhe mbajtja e tij në kontroll përmes përdorimit të mjeteve të duhura të politikës monetare, ka qenë në qendër të workshop-it të FMN-së dhe BERZH-it, ku ka marrë pjesë edhe Banka e Shqipërisë.
Në një njoftim për shtyp, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka njoftuar zhvillimin e këtij aktiviteti, si dhe disa nga gjetjet dhe problematikat që janë diskutuar në ndihmë të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore. “Përforcimi i regjimeve të targetimit të inflacionit, që përfshin një politikë të qartë dhe me objektiva të qëndrueshëm, si dhe pavarësia e veprimeve të bankave qendrore, komunikimet dhe llogaritjet, mund të ndihmojnë në ankorimin e pritshmërive për parashikimin e inflacionit dhe të kontribuojnë në dedollarizim, në tregje lokale më të forta dhe në uljen e pasigurive, ashtu si në më pak bume-ciklesh të pakëndshme”, thuhet në deklaratën e FMN-së lidhur me synimin e workshop-it. Bankës së Shqipërisë, si pjesëmarrëse në këtë workshop, duket se i është dhënë, ashtu sikurse dhe bankave të tjera qendrore, “një leksion” lidhur me pjesët ku duhet të përqendrohet vëmendja e saj për targetimin e inflacionit. Ky i fundit është bërë një problem i madh pas rritjes së çmimeve të shumicës së produkteve në vend, e drejtuar kjo nga rritja në tregjet ndërkombëtare. Prej muajsh inflacioni ka bërë kërcime jashtë objektivit të BSH-së, i cili është +-3%, por duket se kjo ka qenë e pamundur të mbahet. Në muajin shkurt inflacioni shënoi 4.5 për qind, në muajin mars 4.3 për qind. FMN-ja, në njoftimin e saj, thekson se ky nuk do të jetë workshop-i i parë me bankat për të ndihmuar ato në përmirësimin e mjeteve të vendimmarrjes së politikës monetare që lidhen me mbajtjen nën kontroll të inflacionit.

4.3 per qind ishte inflacioni në muajin mars, sipas të dhënave të INSTAT-it, ndërsa në muajin shkurt ky inflacion ishte 4.5 për qind. Këto shifra qëndrojnë më lart sesa objektivi i Bankës së Shqipërisë për inflacionin e kontrolluar.

Tregjet ndërkombëtare
Rritja e inflacionit në vend i është deleguar ecurisë së çmimeve të lëndëve të para dhe naftës në tregjet ndërkombëtare. Shtrenjtimi i këtyre produkteve ka imponuar çmime më të larta në vend dhe, rrjedhimisht, edhe rritje të inflacionit. Shqipëria nuk është e vetmja me një inflacion në rritje. Në përgjithësi kjo po shfaqet si tendencë në Europë dhe rajon, dhe lidhet direkt me tregjet ndërkombëtare.

No comments:

Post a Comment