E gjithë Korça në festë Skënderbeu është kampion

E gjithë Korça në festë Skënderbeu është kampionKORCE- Skënderbeu i Korçës është zyrtarisht kampion i Shqipërisë për sezonin 2010-2011.
Fitorja 1-0 e arritur sot ndaj Elbasanit i ka dhënë startin festës në qytetin më të madh juglindor të vendit, duke kaluar në një ekstazë kolektive mbi 8 mijë tifozë të pranishëm në stadium, por edhe të tjerët që ndodheshin në rrugë. Ka qenë një atmosferë e jashtëzakonshme ajo e sotmja në Korçë. Titulli mungonte prej gati 80 vjetësh në këtë qytet, kështu që festa e njerëzve ka qenë mëse e ligjshme. Tifozët kanë hyrë në fushë për të përqafuar lojtarët, duke gëzuar si të çmendur për një titull historik. Mënjanë akuzat, mënjanë ajo çfarë ndodhi me vendimin e Komisionit të Disiplinës, Skënderbeu meriton notën maksimale përsa i përket fundit të sezonit. Ndërsa Flamurtari ka gabuar në çastet vendimtare, korçarët nuk e kanë bërë një gjë të tillë, falë edhe punës së një strategu si Shpëtim Duro. Ndeshja ndaj Elbasanit nuk ka patur shumë histori, kjo edhe për shkak të nivelit të skuadrës kundërshtare, e rënë nga kategoria dhe e katandisur në një gjendje mjerane. Korçarët janë mjaftuar me një gol, atë të realizuar nga Gjergji Muzaka në minutat shtesë të pjesës së parë, por që ka mjaftuar për t’u dhënë atyre tre pikët vendimtare dhe për të mos pritur se çfarë do të vendosë Federata në lidhje me ndeshjen Vllaznia-Flamurtari, që u ndërpre në çastet e fundit.
Sezoni
Skënderbeu është shpallur sot në mënyrë zyrtare kampion i vendit dhe skuadra që do të përfaqësojë Shqipërinë në sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampioneve. Nën drejtimin e Shkëlqim Muçës, korçarët e nisën sezonin duke ecur paralelisht me Flamurtarin, por humbja 4-0 në ndeshjen direkte ndaj tyre, bëri që ekipi vlonjat të merrte kreun. Më pas, vlonjatët kanë treguar më shumë stabilitet, ndërkohë që Skënderbeu gaboi në disa ndeshje, si barazimi pa gola në Krujë apo ai me Tiranën në kryeqytet. Kjo çoi në largimin e trajnerit Muça dhe zëvendësimin e tij me Shpëtim Duron. Skuadra reagoi menjëherë duke mundur Flamurtarin 1-0 në ndeshjen direkte në Korçë, gjë që e çoi diferencën në vetëm 4 pikë. Më pas, barazimi 1-1 i vlonjatëve në Durrës, humbja e tyre 2-1 në Peqin dhe barazimi 1-1 në Laç, bënë që Skënderbeu të merrte kreun e madje të shkëputej me 4 pikë, duke e bërë të pavlefshme përballjen direkte të javës së fundit. Trajnerët
Përveç presidencës, që investoi duke marrë lojtarët më cilësorë të kampionatit, një meritë të madhe në fitimin e titullit kanë edhe trajnerët Shkëlqim Muça e Shpëtim Duro, të dy të shkollës kryeqytetase. I pari e drejtoi ekipin në pjesën më të madhe të sezonit, duke dhuruar padyshim një futboll spektakolar. Ndërkohë, Duro e mori ekipin përpara takimit me Flamurtarin dhe e ktheu atë në një formacion më të kujdesshëm dhe që përveç sulmit, dinte edhe të mbrohej. Në këtë mënyrë, korçarët nuk falën më në ndeshjet decizive dhe kjo i çoi drejt titullit. 
Njolla
Fituesi nuk gjykohet, është një shprehje e italianëve, por është fakt se Skënderbeu edhe këtë vit ka përfituar nga disa “ndere” që ia siguronte të qënurit një klub i pushtetshëm. Kulmi i akuzave ndaj ekipit korçar arriti për përballjet me Dinamon, të cilat të treja ishin të dyshimta. Ish-kampionët e vendit kanë toleruar haptazi, gjë që krijoi një antipati në qytetet e tjera. FSHF nisi edhe një hetim për njërën nga përballjet, por si zakonisht në Shqipëri, ajo nuk nxorri asnjë përfundim.


http://www.balkanweb.com

No comments:

Post a Comment