Basha i përgjigjet Kadaresë: Pse nuk tërhiqem dot nga gara.

Kandidati i Aleancës për Qytetarin, Lulzim Basha ka vendosur t’i përgjigjet me një letër shkrimtarit Ismail Kadare, lidhur me kërkesën që ky i fundit i bëri publikisht sot që të tërhiqet nga gara për Tiranën.


Në letër, z.Basha shpreh qëndrimin lidhur me kërkesën që i parashtron Kadare për t’u larguar nga gara ku deri tani nga numërimi i votave të kontestuara gjendet me 76 vota më shumë se rivali i tij Edi Rama.

Basha thotë se “duke u tërhequr, unë fyej votuesit, komisionerët, ligjvënësit, ligjet, gjykatat dhe vetë demokracinë”.

Kurse thekson se “me tërheqjen për shkak të presioneve politike, i bie të mos bëhen më zgjedhje në Shqipëri”.

Më tej z.Basha thotë se “çdo tërheqje e imja në këto kushte jo vetëm do të ishte një akt antidemokratik, por besoj se nuk do të pranohej as nga rivali im për Bashkinë e Tiranës sepse për pasojë edhe legjitimiteti i vijimit të kryetarit aktual të Bashkisë do të ishte i kompromentuar”.

Kurse shpreh bindjen: “Jam i bindur se rrethimi i institucioneve, kërcënimet me djegie dhe kryengritje apo pushteti i rrugës nuk janë më të pranueshme sesa votimi i lirë, numërimi i votës së vlefshme dhe vendimet e institucioneve”.

Më poshtë vijon letra e plotë e z.Basha:

I nderuar Zoti Kadare,

Lexova me vëmendje letrën tuaj dhe ju falënderoj për shqetësimin që shprehni në lidhje me të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ky shqetësim i përbashkët duhet të na preokupojë të gjithëve. Ndaj përfitoj nga kjo mundësi të paraqes këndvështrimin tim mbi faktet.

Në këto zgjedhje kanë votuar më shumë qytetarë të Tiranës se asnjëherë tjetër në historinë e saj. Votuesit e kanë shprehur tashmë vullnetin e tyre dhe institucionet përkatëse janë duke bërë ndërkohë numërimin e votës. Qytetarët kanë vendosur se kush e ka fituar këtë garë dhe se kush do të vijojë të administrojë qytetin.

Unë kam vendosur të respektoj të gjitha procedurat normative që parashikon proçesi i numërimit të votës në respekt të shtetit ligjor duke frymëzuar një qëndrim paqësor qytetar dhe në shërbim të stabilitetit e paqes sociale.

E gjithë filozofia e fushatës sime është mbështetur në dëgjimin dhe dialogun e drejtpërdrejtë me qytetarët. Ndaj sot e kam të pamundur të mbys zërin e mbi 124 mijë qytetarëve të cilët i janë përgjigjur pozitivisht planit dhe projektit tim për shndërrimin rrënjësor të kryeqytetit të shqiptarëve, që mjerisht po përjeton një kolaps urban, mjedisor dhe mund të themi ekzistencial. Nuk jam unë ai që vendos nëse do të bëhem apo jo kryetari i ardhshëm i Bashkisë. Ky është vendimi i votuesve dhe unë nuk kam asnjë të drejtë, që në asnjë rrethanë të braktis zgjedhjen që ata kanë bërë.

Unë besoj se gara dhe demokracia i vlejnë të ardhmes europiane të Shqipërisë. Ndërkohë që dhurimi në tavolinë ose pazaret në favorin tim apo të kundërshtarit, e dëmtojnë atë. Më mirë një garë deri në votën e fundit sesa një garë e munguar.

Duke u tërhequr, unë fyej votuesit, komisionerët, ligjvënësit, ligjet, gjykatat dhe vetë demokracinë. Me tërheqjen për shkak të presioneve politike, i bie të mos bëhen më zgjedhje në Shqipëri. Vërtet mund të shpresohet të kalohet më lehtë një sfidë imediate, por me çmimin e madh të rënies së demokracisë. Sistemi ynë demokratik është më mirë të përballojë sfida të vështira sesa të shpallë se përfundimisht nuk bën dot zgjedhje.

Unë nuk mendoj se instalimi i një pushteti që do mbante peng kryeqytetin në kundërshtim me vullnetin e zgjedhësve është më europian dhe demokratik sesa rotacioni politik që është baza e çdo demokracie.

Çdo tërheqje e imja në këto kushte jo vetëm do të ishte një akt antidemokratik, por besoj se nuk do të pranohej as nga rivali im për Bashkinë e Tiranës sepse për pasojë edhe legjitimiteti i vijimit të kryetarit aktual të Bashkisë do të ishte i kompromentuar.

Jam i bindur se rrethimi i institucioneve, kërcënimet me djegie dhe kryengritje apo pushteti i rrugës nuk janë më të pranueshme sesa votimi i lirë, numërimi i votës së vlefshme dhe vendimet e institucioneve.

Unë respektoj vullnetin e të gjithë atyre që kanë votuar pro meje, që kanë votuar për një ndryshim në Tiranë, si edhe ata që kanë votuar kundër, duke lexuar dhe respektuar çdo votë të tyre, respektoj ata që po presin me qytetari, pa dhunë, pa presion, si qytetarë të vërtetë europianë.

Jam i gatshëm të takohem para publikut dhe mediave, kudo dhe kurdo me rivalin tim për Bashkinë e Tiranës për një pakt moral dhe qytetar për respektimin e ligjit, për të pritur me qetësi vendimin e institucioneve, për t’i dhënë fund gjuhës së dhunës dhe për të pranuar verdiktin e qytetarëve të shprehur me votë.

Me respekt,

Lulzim Basha
(noa.al)

No comments:

Post a Comment