Balla: Si i kalova kangjellat e KQZ mbi kokat e policëve.


Nuk ka pasur një skenar për t’u ngjitur mbi kokat e policëve, por për Taulant Ballën kjo ishte “e vetmja rrugë” për të arritur atë që e quan “mbrojtje të demokracisë”. Prej ditësh ai qëndron në krye të simpatizantëve socialistë, që tentojnë të futen brenda KQZ-së dhe të ndalojnë numërimin e votave të kontestuara.Tentativa që herë quhen suksese për shkak të kapërcimit të kangjellave nga disa deputetë të PS-së, herë quhen dështime, sepse nuk kanë arritur dot të depërtojnë në ambientet e brendshme të KQZ-së. Pikërisht në këto tentativa, sekretari i Grupit Parlamentar të PS-së ka lënduar krahun dhe thotë se është goditur nga forcat e rendit. Thotë edhe se policët e dërguar në spital kanë pasur probleme dielli dhe jo plagësh. Por, më poshtë, Taulant Balla thotë për gazetën “Panorama” gjithçka që nuk keni parë nëpër ekranet mediatike këto ditë. Duke ia nisur që nga emërtimi i njerëzve të mbledhur para KQZ-së…

Grumbullimi i militantëve socialistë para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ju është…
Revansh mbarëpopullor kundër padrejtësive, në mbrojtje të demokracisë, vullnetit të lirë të qytetarëve, të shprehur përmes votës.
Cili është qëllimi i këtij revanshi?
Revanshi popullor synon t’i thotë “ndal” kësaj farse të kurdisur nga Sali Berisha dhe të vënë në jetë nga Arben Ristani.
E nëse nuk ka “ndal”?
Atëherë do të njohim vetëm Kushtetutën, prej së cilës, bashkë me çdo qytetar, do të mbrojmë demokracinë, lirinë dhe të drejtat që na jep Kushtetuta.
Dakord, por a e njeh Kushtetuta dhunën si liri dhe të drejtë?
Kushtetuta ka përcaktuar si themelin e këtij shteti votën e lirë. Kjo votë e lirë po vidhet sot në tavolinë.
E zëmë se hytë në KQZ. Do t’i shkatërronit kutitë e votimit?
Kutitë tashmë i ka shkatërruar Sali Berisha dhe Arben Ristani me një proces jotransparent.
Jeni ndër deputetët që pikasët mbi kokat e protestuesve dhe policëve. Si u gjendët aty?
Deputetët e Partisë Socialiste janë sot të gjithë bashkë të njehsuar me popullin, që nuk pranon nënshtrimin dhe që nuk do të lejojë instalimin e diktaturës së Saliut.
Po ju pyesja konkretisht ju, si u gjendët mbi kokat e policëve?
Dalja në krye të protestuesve ishte shprehja më e qartë e përkushtimit tim në mbrojtje të votës që më ka zgjedhur.
U ngjitët vetë mbi kokat e policëve, apo ju ngritën simpatizantët e PS-së?
Është diçka që nuk e kujtoj mirë.
Po çfarë ndjesie patët në ato momente, e kujtoni?
Kisha ndjesinë për të mbrojtur demokracinë. Është angazhimi më solemn sot për çdo qytetar të thjeshtë dhe 1000-fish më i lartë për mua si deputet.
E kishit menduar më parë kapërcimin e kangjellave të KQZ-së?
Në përpjekjet e mia për të kaluar kangjellat gjithçka ndodhi natyrshëm. Asnjë skenar.
A keni rënë me kokë gjatë kapërcimit të ka-ngjellave?
Jo, me kokë jo.
Po si keni rënë?
Me këmbë në tokë (qesh).
A jeni lënduar ndo-kund tjetër?
Kam shembur krahun e majtë dhe dorën e kam të lidhur, siç e shikoni.
E shikoj… Ju dhemb shumë?
Jo, plagë e lehtë është. Dhimbje e durueshme.
Ju qëlloi ndonjë nga forcat e rendit, apo pa dashje nga turma?
Më kanë goditur policët teksa po kaloja kangjellat.
Pse jeni i sigurt që ishin policët dhe jo ndonjë nga turma, pa dashje?
Sepse në atë kohë isha vetëm mes tyre.
Me çfarë ju goditën?
Me skafandra, ndërkohë që më shtynë.
I njihni cilët janë këta policë?
Janë një pjesë e Policisë së Shtetit, të shndërruar plotësisht në një bandë, komandimin e së cilës e kanë marrë përsipër njerëz të lidhur personalisht me pushtetin e Sali Berishës.
Keni bërë denoncim?
Për goditjet ndaj meje, jo.
Po për kë keni bërë?
Për ata dy djem opozitarë që u rrahën barbarisht dje (dy ditë më parë), teksa po ktheheshin në shtëpi, pas përfundimit të protestës para KQZ-së. Ata tashmë gjenden të masakruar në Spitalin Ushtarak.
Ka edhe policë të tillë në Spitalin Ushtarak, të plagosur nga ajo që ju e quani revansh popullor…
Policia e Shtetit ankohet se ka 3 punonjës në spital. Shkuan vërtet 3 policë në spital, por shkuan se u ra të fikët nga dielli dhe orët e gjata në punë, si dhe pesha e rëndë e skafandrave.
Jeni i sigurt? Unë e pashë vetë para dy ditësh një efektiv të thjeshtë policie të gjakosur?
Ai që keni parë ju ka pasur thjesht një gërvishtje në faqe, të shkaktuar nga një shef komisariati. Në fakt, pa dashje dhe ai (qesh).
Po ju vetë keni qëlluar ndonjë polic?
Nuk kam goditur asnjë forcë rendi.
Po rrobat ju janë grisur?
Jo.
Kur keni në mendje ta braktisni revanshin popullor?
Vetëm atëherë kur të rivendoset demokracia dhe respektimi i votës së lirë. Sali Berisha e di mirë…
Çfarë mendoni që di mirë Berisha, që ta dimë edhe ne?
Se kjo dallgë që po ngrihet do ta fshijë edhe atë nëse nuk i jep fund kësaj historie të vjetër tashmë hajdutësh dhe kusarësh.

Vendimi, Grupi socialist lë Ballën në Tiranë

Ndërkohë që për të gjithë deputetët e Partisë Socialiste u vendos që të shpërndaheshin nëpër zonat ku ishin zgjedhur, me qëllim përshkallëzimin e protestave ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mosnumërimin e votave, Taulant Balla u la të qëndronte në Tiranë dhe të ishte në krye të simpatizantëve. “Thjesht u pa e arsyeshme që unë isha këtu. Nuk ishte vendimi im personal, por i Grupit”, shpjegon Balla. Sipas tij, Tirana është kryesore dhe si sekretar i Grupit duhej të qëndronte këtu.

Balla: Duam ta shohim vetë procesin në KQZ

Nga kundërshtimi total për rinumërimin e votave të kontestuara te monitorimi “live”. Kjo e fundit është më e pakta që kërkojnë socialistët. “Deputetët e PS-së kanë kërkuar që të shohin me sytë e tyre dhe të asistojnë në procesin e inskenuar nga KQZ-ja dhe të urdhëruar nga Sali Berisha, që kthen votat e pavlefshme në numra për kandidatin humbës të tij, Lulzim Bashën. Kjo është thyerje e Kodit Zgjedhor që i cilëson mbledhjet e KQZ-së kurdoherë të hapura jo vetëm për deputetët, por edhe për publikun”, thotë Balla.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment