Kadare: Besoj në të ardhme paqësore mes shqiptarëve dhe serbëve


Shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare tha se beson në raporte të mira në të ardhmen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë, ai tha procesi i pajtimit duhet të bazohet në vendosjen e drejtësisë. Sipas tij, krijimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan ishte një fitore e jashtëzakonshme për shqiptarët.
Ai tha se e ardhmja e popujve të Ballkanit është në këtë rajon dhe vullneti i tyre, do të bëjë që të shkojnë drejt pajtimit dhe sqarimit të gjërave. Sigurisht që pajtimi ka një kriter bazë dhe ai është vendosja e drejtësisë dhe kërkimi i ndjesës.
Kadare tha se nuk është kërkimi i ndjesës diçka sentimentale, është e domosdoshme. Në historinë e popujve, njohja e krimit dhe kërkimi i ndjesës është ai që përcakton fatin e mëtejshëm midis kombeve, midis popujve, midis fqinjëve dhe kjo gjë do të ndodh në Ballkan, se nuk bën.
Kadare theksoi me këtë rast se e vërteta është në anën e shqiptarëve dhe pikërisht për këtë, populli shqiptar nuk ka pse të ketë frikë nga gjykimi dhe e vërteta. Kadare flet edhe për tezat dhe opsionet që përmenden për shkëmbime territoresh apo bashkim të trojeve shqiptare. Ai thotë se krijimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan, ka shkaktuar traumë në të gjitha rrethet antishqiptare në Ballkan. “Kjo kërkesë që vazhdon tashti, gjithmonë e moderuar, pa ndonjë trysni të madhe, është mençuri e shqiptarëve që të mos nguten për diçka që s’ka arsye që të nguten. Ishte një fitore e jashtëzakonshme krijimi i dy shteteve shqiptare, në Ballkan. Një mrekulli nga ato që ndodhin shumë rrallë në botë. Nga një shtet i tkurrur, Shqipëria, papritmas shpërthen një komb me dy shtete. Dhe mos kujtoni që kjo nuk ka shkaktuar një traumë psikike në të gjitha rrethet antishqiptare, në Ballkan”, tha ai. Po cili është ndikimi i fuqive perëndimore në zhvillimin e shteteve të shqiptarëve dhe sa realisht janë ato të pavarura nga ky ndikim?

Kadare, përgjigjet duke u thirrur në formën aktuale të funksionimit të BE-së “Nuk ka asnjë shtet që mund të thotë se unë jam i pavarur qind për qind. Unë bëj çka më thotë koka…nuk ka të tillë. BE-ja, është një strukturë federative, shtetërore, e cila ka disiplinën e saj, standardet e saj, dhe nuk pranon asnjë sovranitet që të mos ketë asnjë lidhje me të. Ka ligje politike, ekomomike, ushtarake të përbashkëta. Evropa, quhet sot, Evropa e kombeve”, deklaroi ai. Sa i përket raportit të Dik Martit, Kadare thotë se iu dha rëndësi shumë e madhe pjesës së propagandës dhe retorikës, e cila nuk duhej të na kapte në befasi.

”Gjëja e parë që duhej bërë kur doli raporti i Dik Martit, duhej thënë që: ejani menjëherë të hetoni. Madje, Shqipëria dhe Kosova bashkërisht, duhej të nxisnin hetimet, jo të kishin frikë prej tyre. Sepse, nuk është as patriotizëm as korrekte, që t”i të tmerrohesh nga hetimi dhe të thuash nuk pranoj të hetohem. Prandaj, do të ishte logjike, dinjitoze, në mbrojtje të interesave shqiptare, nxitja e hetimit”.

No comments:

Post a Comment