Viti 2010, bankat dhe individët qarkulluan 202 miliardë lek

TIRANË- Bankat dhe qytetarët shqiptarë qarkulluan rreth 202 miliardë lek përgjatë vitit të shkuar. Kjo shumë është e ndarë në kartëmonedha të prerjeve të ndryshme si dhe në monedha, të cilat sigurisht përbëjnë pjesën më të vogël në vlerë.


Por si është raporti i shpërndarjes së kësaj shume midis monedhave të kartëmonedhave? - Në total, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, qytetarët dhe bankat qarkulluan rreth 270 milionë copë monedha dhe kartëmonedha. Nga këto, rreth 153.4 milionë copë janë kartëmonedha dhe 116 milionë janë monedha metalike.

Kartëmonedhat
Kartëmonedhat janë të prerjeve të tilla si 5 000 lek, 2 000 lek, 1 000 lek 5 00 lek dhe 100 lek. Kjo e fundit ka dalë nga qarkullimi tashmë. Monedhat nga ana tjetër përbëhet nga prerjet 100 lek, 50 lek, 20 lek, 10 lek, 5 lek dhe 1 lek. Sipas BSH-së, struktura e kartëmonedhës në qarkullim është disi më e balancuar në raport me monedhat.

Kjo, për shkak edhe të përdorimit të gjerë të kartëmonedhave të prerjeve të mëdha nga sistemit bankar. Po ashtu, vërehet një rritje e peshës së prerjes 2 000 lek në qarkullim. Këto lloj prerjesh kanë hyrë prej dy vitesh në përdorim duke zënë kështu një pjesë të mirë të tregut.

Pjesa më e madhe e kartëmonedhave përbëhet nga ato të prerjes 1 000 lek me 42 për qind të totalit, e ndjekur nga prerjet 500 lek me 30 për qind. Prerjet 5 000 lek përbëjnë rreth 11 për qind të totalit, ndërsa prerjet 2 000 lek janë rritur deri në 8 për qind të totalit të numrit të kartëmonedhave që qarkullojnë në Shqipëri.



Monedhat
Për sa i përket monedhave, pjesa më e madhe e tyre përbëhet nga prerjet 20 dhe 10 lek. Të dyja ato bashkë, përbëjnë më shumë se gjysmën e totalit të monedhave metalike në qarkullim. Së fundmi sipas BSH-së është vërejtur një rritje e peshës së monedhave 100 dhe 50 lek për shkak të përdorimit të gjerë të tyre në rrjetet e supermarketeve.

Për t'u konsideruar është edhe sasia e monedhave një lekëshe që qarkullojnë në treg. Nga totali, prej 116 milionë copë monedha metalike, rreth 7 për qind e tyre janë prerje 1 lekëshe. Këto lloj monedhash njihen nga sistemi bankar shqiptar, por në realitet nuk kanë një përdorim të gjerë për të bërë pagesa.

Kryesisht, këto lloj prerjesh përdoren nga linjat e supermarketeve për të kthyer kusur ndaj klientëve. E në fakt, rrallë herë ky kusur disa lekësh merret nga blerësit duke bërë që të mos shihen shumë në qarkullim duke mbetur vetëm nëpër arkat e pagesave.



Banka e Shqipërisë asgjësoi 280 mln dollarë
Shtimi i bankomateve por edhe cilësia e dobët e një pjesë të kartëmonedhave në vend ka bërë që Banka e Shqipërisë të nxjerrë nga qarkullimi një pjesë të konsiderueshme të tyre duke i zëvendësuar më prerje të reja. Në total, janë nxjerrë nga qarkullimi dhe janë asgjësuar rreth 23.5 milionë copë kartëmonedha të cilat përllogariten në një vlerë rreth 280 milionë dollarë.
Kartëmonedhat e nxjerra nga qarkullimi janë kryesisht emetime të para vitit 1996. Kartëmonedhat e nxjerra nga qarkullimi janë zëvendësuar me të reja. Mësohet se gjatë vitit 2010, në treg janë hedhur rreth 22 milionë copë kartëmonedha të reja, kryesisht prerje të mëdha si 2 000 dhe 1 000 lekë.


Por si bëhet nxjerrja nga qarkullimi i monedhave?
Ka një rregullore të posaçme për asgjësimin e kartëmonedhave apo monedhave që kanë dalë nga qarkullimi. Pasi hiqen nga tregu ato asgjësohen me një pajisje të veçantë grirëse nga Banka e Shqipërisë. Në shumë raste, degët e Bankës së Shqipërisë përballen edhe me kërkesa të qytetarëve për të zëvendësuar kartëmonedhat të cilat janë të dëmtuara, nga shkaqe të ndryshme, siç do të ishte grisja, djegia e një pjesë të tyre, shpimi, etj.

Kjo është një praktikë që gjen terren në punën e përditshme të këtyre degëve, por jo të gjitha kartëmonedhat e dëmtuara mund të zëvendësohen duke paguar poseduesin. Sipas ligjit për Bankën e Shqipërisë, ky institucion ka detyrimin që të zëvendësojë dhe asgjësojë më pas, të gjitha ato kartëmonedha, të cilat janë të dëmtuara në më shumë se 40 për qind të sipërfaqes së tyre. Kartëmonedhat që nuk e përmbushin këtë kusht, asgjësohen pa e kompensuar pronarin.

Monedhat e dëmtuara nuk janë të vetmet që asgjësohen nga Banka e Shqipërisë. Të njëjtin fat kanë edhe monedhat apo kartëmonedhat e falsifikuara, kur ato kapen nga autoritetet.

No comments:

Post a Comment