Autostrada Tiranë- Elbasan merr udhë nisin punimet e tunelit

TIRANE- Nga sot nisin punimet për ndërtimin e autostradës Tiranë- Elbasan, të cilësuar si vepra e dytë madhore pas autostradës Durrës- Kukës- Morinë. Kryeministri Berisha ka qenë sot paradite në ceremoninë e inaugurimit të tunelit në Ibë, pjesë e autostradës e cila “de fakto bën Elbasanin qytetin më të afërt të Tiranës”- tha Berisha duke theksuar dhe rëndësinë e shkurtimit të distancës edhe me qytetet e tjera drejt jugut dhe juglindjes së vendit.

Kryeministri tha se “ëndrra e miliona udhëtarëve, që kanë udhëtuar duke u ngjitur në Krrabë... nis sot shëndërrimin e sa në realitet në një hark kohor 18 muajsh.

Kryeministri tha se autostrada do të krijojë rajonin më të madh të tregut duke shndërruar Tiranë- Elbasan-Durrës në një treg të përbashkët dhe do të shumfishojë potencialin turistik të të tre qyteteve.

Autostrada do të shkurtojë 2/3 e distancës mes Tiranës dhe Elbasanit, e ekuivalentuar në kohë 50 minuta, duke e bërë Elbasanin qytetin më të afërt të Tiranës.

“Një qytetar i Elbasanit do shpenzojnë të njëjtën kohë sa shpenzojnë qytetarët e kombinatit për të shkuar në një punë pranë Qendrës spitalore universitare "Nene Tereza"- tha Berisha duke shtuar se “natyrisht dhe Tirana pas 8 majit do ketë zgjidhjet e veta”.

Kryeministri shprehu bindjen se pranvera e 2013 do të bashkojë Tiranën me Elbasanin dhe besimin në fitoren e kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin”për kryetar bashkie në Tiranë e Elbasanin.
“Në pranverën e 2013 shiritin do ta presin dy kryetarët Lulzim Basha dhe Durim Hushi” tha Berisha duke i falënderuar të dy për punën dhe mbështetjen që kanë dhënë në ndërtimin e kësaj vepre.

Duke iu referuar opozitës Berisha tha se “pastronte pluhurin që deputetët e opozitës hodhën në parlament kundër kësaj vepre madhore. “Kryeari i opozitës në qoftë se do të jetë atëherë do të thotë se Berisha udhëton me reaktiv e jo më me helicopter. Ca ti bëj unë atij i ka ngel mendja te rrugët e vjetra po të vazhdojë ne do të ndërtojmë rrugë të reja”


DETAJE
Ministria e Financave dhe Banka Islamike për Zhvillim (IDB) nënshkruan në fillim të këtij muaji marrëveshjen e kredisë prej 222.7 milionë dollarësh për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, pjesë kryesore e Boshtit të Jugut. Ajo do të ketë një gjatësi prej 31.17 km, nga 55 km që është aktualisht dhe do të ndërtohet në kushte teknike për t’u përshkruar me një shpejtësi sa trefishi i asaj që është lejuar sot në këtë segment.
Rruga do të ketë katër korsi, e pajisur ndër të tjera me një numër të madh viaduktesh, 21 të tilla, 7 mbikalime dhe 4 nënkalime, me një numër të konsiderueshëm urash, disa prej tyre më të gjata se 400 metra.

Investimi më i rëndësishëm i saj është tuneli me një gjatësi prej rreth 2.4 km, i ngjashëm me tunelin e Bolzanos në Itali. Shpejtësia e udhëtimit do të variojë nga 100 në 120 km në orë. Por bashkë me këtë segment, qeveria ka në plan të mbyllë brenda 4 vitesh gjithë Boshtin rrugor të Jugut.

Vlera totale e investimit të segmentit prej rreth 400 milionë dollarësh do të vijojë të ndërmjetësohet përmes IDB-së, duke kontraktuar dhe donatorë të tjera si Fondi i Abu Dhabi-t, i është kërkuar të financojë në shumën 100 milionë USD; Fondi Saudit per Zhvillim, i është kërkuar të financojë në shumën 15-25 milionë USD; Fondi OPEC, të cilit i është kërkuar të financojë në shumën 15-25 milionë USD; si dhe kontributi i Qeverisë Shqiptare, i cili do të mbulojë pjesën e mbetur të kostos së projektit.

Në tenderin për ndërtimin e tunelit, pjesë e autostradës Tiranë-Elbasan, zhvilluar në muajin mars, paraqiten ofertat ekonomike 7 kompani. Për ndërtimin e këtij tuneli paraqiten interes 26 kompani. Pas fazës së parë të përzgjedhjes u kualifikuan 13 kompani, nga të cilat, vetëm 7 prej tyre paraqitën ofertat e tyre ekonomike. Agjencia e Prokurimit Publik shpalli kompaninë greke "Aktor" fituese për ndërtimin e tunelit.


http://www.balkanweb.com

No comments:

Post a Comment