Siri, qeveria paralajmëron reforma

Ndërkohë, forcat besnike qeveritare vazhdojnë bombardimin e qytetit të Daras.

Pas protestave të pandalshme në Siri kundër regjimit të Presidentit Bashar al-Asad, qeveria e vendit ka njoftuar një plan gjithëpërfshirës reformash në politikë, ekonomi, drejtësi, si edhe ndryshime në aparatin e sigurisë. Lajmi vjen nga agjencia shtetërore e lajmeve, Sana, e cila i referohet një njoftimi të Kryeministrit, Adel Safar. Me përpilimin e reformave do të merren tri komisione ekspertësh. Kabineti qeveritar miratoi edhe një plan, me të cilin do të nxitet krijimi i vendeve të punës në ekonominë private. Forcat e rendit, ndërkohë kanë vazhduar të veprojnë me dhunë kundër opozitës. Në qytetin Dara, ushtria e mbështetur nga tanket, sulmoi një xhami, ku ndodheshin kundërshtarë të qeverisë. Katër vetë humbën jetën, sipas njoftimeve të dëshmitarëve. Tanket e ushtrisë siriane, siç raportojnë dëshmitarët, kanë bombarduar lagjen e vjetër të qytetit ndërsa janë dërguar përforcime shtesë në këtë qytet që mbahet i rrethuar për më shumë se një javë, për shkak të demonstratave antiqeveritare. Dara ka mbetur pa ujë, naftë apo energji elektrike që nga e hëna, kur regjimi i Presidentit Bashar Al Asad, ka dërguar atje tanket ushtarake dhe snajperistët që të shpërndajnë protestuesit që kërkojnë largimin nga pushteti të Asadit. Numri i të vdekurve nga demonstruesit dhe forcat qeveritare në tërë Sirinë ka arritur në 535 persona, një fakt ky që ka nxitur dënimin e regjimit të Asadit nga gjykata ndërkombëtare dhe sanksioneve financiare tashmë të vendosura nga SHBA-ja për zyrtarët e lartë të Sirisë.

No comments:

Post a Comment