Shqipëria, vendi i 43-të më i mirë për t’u bërë nënë

Nëse do ishit duke kërkuar vendin ideal për t’u bërë nënë, Shqipëria do të ishte mundësia e 43-të në botë.E para do të ishte Norvegjia, ndërsa i fundit Afganistani. Studimi më i fundit i bërë nga një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA, “Shpëtoni fëmijët”, nxjerr në pah edhe detajet e këtyre renditjeve.
Studimi ka në fokus rreth 78 vende në të gjithë botën për të nxjerrë indeksin e nënave për vitin 2011. Indeksi ka në thelb identifikimin e vendeve ku statusi i të qenit nënë trajtohet më mirë si nga ana ekonomike, arsimore dhe bëhet pjesë e qeverisjes qendrore. Përveç kësaj, një element i rëndësishëm në indeks është edhe statusi shëndetësor që lidhet me rrezikshmërinë e shëndetit gjatë shtatzënisë, numrin e vdekjeve nga komplikacionet e kësaj natyre, si dhe jetëgjatësia.
Shqipëria
Shqipëria renditet e 43-ta në listën e vendeve më të mira për të jetuar dhe për t’u bërë nënë. Vihet re një jetëgjatësi e lartë e femrave, me plot 80 vite. Shifrat që jepen për secilën kategori kanë vite të ndryshme reference, duke filluar që nga vitit 2008 dhe deri në vitin 2011, kur është bërë rifreskimi i fundit për pjesëmarrjen e femrave në qeverisjen qendrore. Por si janë treguesit totalë të Shqipërisë?
Nëse renditja jepet me numrin 43 në total, si indeks, elementet e veçanta paraqiten në këtë mënyrë. Rreziku që një grua të vdesë nga komplikacionet që vijnë si rezultat i shtatzënisë janë 1 në 1700. Përqindja e fermave që përdorin kontracepsion modern konsiderohet si e ulët dhe është vetëm 22 për qind. Lidhur me statusin e edukimit, mesatarja e femrave është 11 vite arsimim, që në fakt, krahasuar me shumicën e vendeve të tjera, Shqipëria renditet dukshëm më ulët. I vetmi seksion ku paraqitja e të dhënave duket se është më mirë sesa pjesa e vendeve të tjera, është ajo lidhur me kohëzgjatjen e lejes së lindjes, që është plot 365 ditë, në ndryshim nga vende të tjera që e kanë 12 javë, apo 135 ditë. Lidhur me përqindjen që merret gjatë lejes së lindjes, Shqipëria paraqitet në një nivel mesatar krahasuar me vendet e tjera, të cilat herë aplikojnë përqindje më të larta, herë edhe dhënien e kontributit në nivelin e pagës normale që ka pasur nëna. Indeksi i nënave përfshin më vete edhe një pjesë të indeksit të fëmijëve, ku më kryesore është përqindje që lidhet me vdekshmërinë nën 5 vjeç, e cila për 1000 lindje vlerësohet 15, një numër goxha i lartë krahasuar me vendin e parë, që është Norvegjia, ku vdekshmëria është vetëm 3 për 1000 lindje.

Indeksi i nenave per Shqiperine

Indeksi i renditjes së nënave 43

Statusi shëndetësor
Rreziku që një grua të vdesë nga komplikacionet që vijnë nga shtatzënia 1 në 1700
Përqindja e femrave që përdorin kontracepsion modern 22%
Jetëgjatësia e femrave 80 vjeç
Statusi i edukimit
Numri mestar i viteve të shkollimit 11 vjet
Benefitet gjatë lejes së lindjes
Gjatësia e kohës 365 ditë
Përqindja e pagës së paguar 80.5%
Diferenca mes pagës së burrave dhe grave 0.54
Pjesëmarrja e femrave në qeverisjen kombëtare
nr. i vendeve që mbahen nga gratë 16
Indeksi i fëmijëve
Vdekshmëria nën 5 vjeç, për 1000 lindje 15
Niveli i regjistrimit në sapolindje 58%
Niveli i regjistrimit në një moment të dytë 72%

No comments:

Post a Comment