Rritet borxhi i qeverisë


Në katër muajt e parë të vitit që përkojnë edhe me harkun e plotë të fushatës elektorale qeveria mori rreth 160 milionë dollarë borxh për të mbuluar shpenzimet e rritura nga zgjedhjet.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se krahasuar me katërmujorin e parë të vitit të kaluar qeveria ka marr këtë vit 12.5 herë më shumë borxh, kryesisht nga bankat vendase për të financuar shpenzimet e saj. Deri në fund të prillit, shpenzimet e qeverisë ishin 12 për qind më të larta se një vit më parë, për shkak të investimeve të larta si pasojë e zgjedhjeve, por edhe rritjes së pagesave për pensionet.

Sipas të dhënave fatura e investimeve publike për këtë katërmujor ishte rreth 25 për qind më e lartë se ajo e një viti më parë, një fenomen i zakonshëm ky sa herë që vendi ka zgjedhje. Por ndërsa shpenzimet e qeverisë janë rritur me ritme të larta, të ardhurat e mbledhura nga taksat dhe burimet e tjera jo vetëm që nuk janë shtuar, por përkundrazi kanë rënë.

Të dhënat financiare të qeverisë tregojnë se rënia e të ardhurave po ndodh pikërisht nga taksat e konsumit, një sinjal ky se qytetarët po shpenzojnë gjithmonë e më pak në treg. Edhe pse cmimet këtë vit janë rritur, sipas të dhënave zyrtare me mbi 4 për qind krahasuar me një vit më parë, të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi vlerën e shtuar, taksa që mat konsumin në ekonomi ishin më të ulëta se në 2010.

Madje kjo në një kohë kur numri i bizneseve që paguajnë tatim mbi vlerën e shtuar është rritur me rreth 17 mijë, për shkak se qeveria uli pragun e xhiros nga 5 milionë lekë në vit në 2 milionë lekë. Një tjetër taksë që sinjalizon rënien e konsumit është edhe akciza.

Edhe pse qeveria e rriti barrën e akcizave, për disa produkte, të ardhurat e mbledhur nga kjo taksë në buxhet, jo vetëm që nuk janë rritur por kanë rënë krahasuar me një vit më parë. Muajt e ardhshëm do të tregojnë nëse rritja e borxhit në katër muajt e parë të vitit ishte thjesht një taktikë elektorale e qeverisë, apo parashikimet e saj fillestare për buxhetin kanë qënë më shumë optimiste nga c'duhej, cka do e detyronte qeverinë të rishikonte sërish buxhetin.
(www.ama-news.al)

No comments:

Post a Comment