Pedagogia garoi në zgjedhjet e 2005

Flora Hanelli, pedagogia e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, e cila u bë e njohur dy ditë më parë në një incident me kandidatin Lulzim Basha, rezulton të ketë qenë më parë e përfshirë në aktivitete partiake.Gazeta “Panorama” ka zbuluar se ajo ka qenë një herë kandidate për deputete në zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara në vend. Bëhet fjalë për zgjedhjet e vitit 2005, kur sistemi ishte maxhoritar dhe partitë nxirrnin kandidatët e tyre në secilën prej 100 zonave zgjedhore. Në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nëse klikon në folderin mbi informacionet për zgjedhjet e 3 korrikut 2005, mund të gjesh lehtësisht se në çfarë zone ka kandiduar Flora Hanelli (Osmani- mbiemri i bashkëshortit). Pedagogia e Fakultetit të Inxhinierisë ka garuar në Zonën Zgjedhore Nr. 94, e cila ka si pjesë të sajën qytetin e Vlorës dhe pak nga rrethinat. Hanelli ka qenë në këtë zonë si përfaqësuese e Partisë Lidhja e Blertë Shqiptare. Nga buletini i zgjedhjeve të 6 viteve më parë rezulton se ajo është renditur e fundit në këtë zonë zgjedhore, ku ka marrë vetëm 12 vota, ose 0.09% të votave, ndërkohë që deputet ka dalë ish-ministri i Kulturës i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj. E kontaktuar nga gazeta “Panorama”, Flora Hanelli (Osmani) e konfirmoi faktin se ka qenë kandidate në zgjedhjet e përgjithshme të gjashtë viteve më parë. “Po, kam qenë kandidate e Partisë Lidhja e Blertë Shqiptare në ato zgjedhje”, është shprehur pedagogia e Algjebrës në komunikimin me gazetën. Një ditë pas incidentit me kandidatin e Partisë Demokratike në ambientet e Fakultetit, vajza e pedagoges tha në një intervistë për shtypin e shkruar, se mamaja e saj nuk ka bindje partiake, por është vetëm natyrë opozitare. “Mamaja ime s’është me asnjë parti. Ajo është natyrë opozitare, është kritike. Po të kërkoni e të pyesni, ajo asnjëherë nuk është aktivizuar me partitë”, tha Delira Hanelli, vajza e pedagoges.

incidenti

Gjatë një takimi të kandidatit të koalicionit “Aleanca për qytetarin” me studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, ku ka folur për vizionin e tij për qytetin dhe të rinjtë, është shënuar një incident. Pedagogia e Algjebrës, Flora Hanelli, i ka ndërprerë fjalën kandidatit demokrat duke e akuzuar si vrasës. Akuzave të pedagoges u janë përgjigjur truprojat e Bashës, duke e nxjerrë atë jashtë, ndërsa Basha e ka vazhduar fjalën e tij para studentëve i qetë. Ky incident është filmuar nga të pranishmit dhe është bërë menjëherë publik.

Greva e pedagogëve
Pedagogia e Inxhinierisë së Ndërtimit ka qenë ndër më aktivet në një grevë disajavore të universiteteve në vitin 2004, kur protestohej kundër vendimeve të qeverisë së drejtuar nga Fatos Nano. Në atë kohë, pedagogët kërkuan rritje të rrogave, përcaktimin e statusit të profesorit, si dhe përmirësimin e ambienteve dhe kushteve nëpër auditorë.

No comments:

Post a Comment