Berisha: Përgatitje për sezonin turistik

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në një dalje për mediat theksoi se Shqipëria po e pret sezonin turistik si destinacioni kryesor në planet.



“Shqipëria ka hyrë në sezonin turistik dhe fluksi i turistëve po vjen në rritje. Në muajin prill qeveritë vendore dhe ajo qendrore kanë qenë të angazhuara në fushatë elektorale, por është punuar me një plan masash për parapërgatitjen për këtë sezon. U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë, qeveritarëve vendorë dhe përfaqësuesve të qeverisë qendrore të ndjekin me angazhim të plotë finalizimin e përgatitjeve për sezonin turistik më të suksesshëm në historinë e vendit”, u shpreh Berisha.

“Jemi vlerësuar nga agjensitë më prestigjioze të botës si destinacioni kryesor turistik i planetit. Shqiptarët kanë meritë për ngjitjen në këto nivele të Shqipërisë turistike. Ky sukses i madh, i paimagjinueshëm 5-6 vjet më parë, ka qenë meritë e mikpritjes shqiptare”, shtoi kryeministri i vendit.

Më pas, Berisha u bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të mbajnë pastër mjedisin: “U bëj thirrje të gjithëve që të bëjnë gjithçka për të mbajtur një mjedis të pastër. Është rast i mirë për të krijuar përshtypje pozitive për vendin tonë. Së shpejti inaugurohen impiantet e përpunimit të ujrave të zeza, por asgjë nuk zëvendëson kujdesin e qytetarit për një ambjent më të pastër për vete dhe për turistët që kalojnë pushimet në vendin tonë.”

Kryeministri dhe njëkohësisht kreu i Partisë Demokratike nuk preferoi të komentonte gjatë aktualitetin politik të vendit.

“Shpreh mirënjohjen ndaj të gjithë stafit të KQZ-së, përfaqësuesve të forcave politike dhe efektivave të Policisë së Shtetit. Sot preferoj që tema e konferencës të mbetet turizmi. Gjithsesi, situata në vend nuk ndikon aspak në turizmin e Shqipërisë. Protestat janë dëshmi e një demokracie që funksionon”, përfundoi Berisha.

(www.top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment