Shtyhet rezultati për Tiranën

Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësuesi i Partisë Socialiste ngriti shqetësimin se tabela përmbledhëse e njësisë bashkiake nr 5 nuk është plotësuar ende nga KZAZ-ja, ku shumicën e ka e djathta.
“I kërkova KQZ-së që të urdhërojë KZAZ-në përkatëse që të rikthehet puna. I kam kërkuar gjithashtu të shkarkojë përfaqësuesit e mazhorancës në këtë komision”, deklaroi Genc Gjoncaj.

Sipas zotit Gjoncaj, KQZ-së i janë dretjuar me dy shkresa zyrtare për zgjidhjen e problemit edhe anëtarët e majtë të KZAZ-së. Kjo ka ndezur diskutimin në sallë.

“Lidhur me cështjen, ne kemi shqyrtuar kërkesat ankimore dhe inspektorët kanë shkuar ta vizitojnë”, ndërhyri kryetari Arben Ristani.

“Të respektohet ligji, afati dhe kodi, por për të gjitha KZAZ-të e Tiranës, jo vetëm për atë 49”, tha pas tij komisioneri demokrat Njazi Kosovrasti.

Ndërsa sipas nënkryetares Dëshira Subashi, fillimi i numërimit për njësinë bashkiake, pa përmbyllur procesin për bashkinë e Tiranës, është shkelje e ligjit dhe e vendimit të KQZ.

“Inspektorët tanë me këtë cështje duhet të merren, jo për të thënë se kam një cështje ndryshe. Ata duhet të jenë atje për të ndjekur si zbatohen vendimet e KQZ”, u shpreh Subashi.

Në këto kushte, Komisioni e shtyu për pasdite shqyrtimin e modelit të tabelës përmbledhëse të Tiranës.

“Kam nevojë akoma të merrem me aktin pasi kam informacione të reja dhe kur të jem gati do të sjell”, nënvizoi Ristani.

“Unë e kërkova shtyrjen pasi është në detyrimet ligjore tuajat që të prisni 24 orë”, u tha pas tij komisionerëve Kosovrasti.

Mandatin kryetarit të bashkisë së Tiranës ia jep Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pasdite do të shqyrtohet projekt-akti që udhëzon administratën sesi duhet të veprojë për të bërë mbledhjen e rezultateve nga të tëra KZAZ-të e kryeqytetit.
(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment