Tanja Fajon apel Ballkanit: Respektoni heqjen e vizave, ndryshe do rikufizoheni

Novi Sad, 16 maj, NOA – Autoritetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë më shumë punë për parandalimin e krimit ndërkufitar, nëse dëshirojnë që të mbajnë ende në këmbë regjimin aktual pa viza me Bashkimin Evropian.

Një fakt të tillë e ka cilësuar eurodeputetja e njohur sllovene, Tanja Fajon, gjatë një interviste për të përditshme serbe “Dnevnik”.

Ajo nuk ka denjuar të pohojë faktin se që nga futja e regjimit pa viza për Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën dhe Shqipërinë, grupet kriminale mund të kenë përfituar nga situata duke trafikuar njerëz përmes kufijve.

“Nuk ka mbetur shumë kohë për të përmirësuar situatën. Është shumë reale që në qershor Këshilli Evropian të ndërmarrë hapin e parë për heqjen e regjimit pa viza”, shtoi Fajon.

Ajo më tej argumentoi se duhen rritur kompetencat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, për të vendosur kontrollet e njëanshme të kufirit, të tilla siç janë ngritur nga Franca, Italia dhe më së fundi Danimarka.

Gjithashtu, anëtarja e Komitetit për liritë civile, Drejtësisë dhe Çështjeve të Parlamentit Evropian (PE) Tanja Fajon deklaroi se qeveritë e vendeve të Europës Juglindore duhet të bëjnë më shumë për të parandaluar abuzimin me liberalizimin e vizave, duke shtuar se ka pak kohë për të përmirësuar gjendjen e tanishme.

Ajo është treguar realiste kur tha se pritet që Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian të përcaktojë një mekanizëm për pezullim të përkohshëm të liberalizimit të vizave në qershor, por kjo sipas saj, do të varet nga sjellja e Serbisë dhe e shteteve të tjera rajonale.

Fajon shtoi se për shkak të problemit të shfaqur me azil-kërkuesit falsë, ka një numër në rritje të vendeve të BE që janë të gatshëm për të marrë masa të rrepta ndaj tyre, pasi ata besojnë se unaza e krimit, e cila organizon transferimin e azilkërkuesve fals, është shfaqur pas Serbisë, edhe në Mali të Zi dhe Maqedoni.

Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi kanë qenë në marrëdhënie pa viza me zonën Shengen që nga viti 2009, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina që nga viti i kaluar.

(www.noa.al)

No comments:

Post a Comment