Revoltë e incidente në Vlorë, tifozët bllokojnë rrugën për ekipin e Skënderbeut

Ka përfunduar me një revoltë popullore dhe incidente të shumta ndeshja kryesore e javës së fundit të Superligës, ajo mes Flamurtarit dhe Skënderbeut e luajtur në Vlorë. Pas takimit, që përfundoi 1-0 për skuadrën vendase, tifozët vlonjatë kanë nisur të shkatërrojnë stolat e stadiumit, duke i hedhur ato drejt fushës, ku ndodheshin futbollistët e Skënderbeut. Për këta të fundit ka qenë tepër e vështirë që të hynin në dhomat e zhveshjes, ndërkohë që edhe policia e ka patur thuajse të pamundur për t’i mbrojtur në momente të caktuara. Disa futbollistë, por edhe disa tifozë kanë pësuar dëmtime të lehta nga gjendja e krijuar. Ndërkohë Lojtarët janë futur në stadium vetëm pas minutash të tëra breshërie stolash e gurësh nga tribuna qendrore, ndërsa më pas situata është zhvendosur në rrugë. Përpara stadiumit janë grumbulluar rreth 2 mijë tifozë, në një situatë që i ngjante asaj të një lufte. Ata kanë patur edhe konfrontime me forcat e policisë, ndërsa pasi kanë mësuar se ekipi i Skënderbeut mund të dilte nga pjesa e aneksit të stadiumit, kanë shkuar të bllokojnë rrugën kryesore. Revolta e tifozëve të Flamurtarit vjen pas një sezoni të mbushur me akuza e polemika mes tyre dhe klubit Skënderbeu.Përgjatë gjithë 90 minutave të ndeshjes, tifozët vendas kanë sharë në kor drejtuesit e klubit Skënderbeu dhe presidentin e Federatës Armand Duka, por inatit të tyre nuk u kanë shpëtuar as futbollistë të veçantë të klubit korçar, si kapiteni Bledi Shkëmbi. Ndeshja është shoqëruar me ndërprerje të shumta, për shkak të hedhjes së gurëve dhe sharjeve të rënda, që nuk kanë mundur të ndalohen as nga masat e jashtëzakonshme të policisë.
Ndërkohë, të hënën janë luajtur edhe ndeshjet e tjera të javës së 33-të. Kështu, Besa do t’i bashkohet Elbasanit një kategori më poshtë, ndonëse fitoi 3-2 ndaj Tiranës. Kastrioti ka mundur 4-3 Dinamon, duke siguruar qëndrimin direkt, ndërkohë që blutë do të luajnë në plejaut. Ka siguruar qëndrimin edhe Bylisi, që mposhti 2-0 Vllazninë, ashtu si Teuta, që fitoi 3-2 me Laçin. Në plejaut ndërkohë do të luajë edhe Shkumbini, megjithë fitoren 2-1 ndaj Elbasanit. Peqinasit do të përballen me Mamurrarin, ndërsa Dinamo me Besëlidhjen.
(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment