Shqipëria në shitje, përjashtim shkollat, spitalet, digat dhe qarqet

Kryeministri Berisha deklaroi dje se procesi i privatizimit do të përfshijë gjithçka. Berisha flet edhe për domosdoshmërinë e kontraktimit të kompanive të huaja, për mirëmbajtjen e autostradave kryesore në vend
TIRANË Privatizimi i aseteve shtetërore ishte e vetmja çështje, që kryeministri Sali Berisha ngriti në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave. Gjysma e këtij viti, sipas tij, do të konsiderohet vendimtare për procesin e privatizimit. Ndryshe nga herët e tjera, kreu i ekzekutivit ka paralajmëruar se e gjithë Shqipëria do të jetë në shitje. Përjashtim nga ky proces do të bëjnë digat, shkollat, spitalet, parqet kombëtare dhe tokat pa pronarë. “Objektivat tona duhet të realizohen. Ajo çfarë ka mbetur në aksionet apo dhe asetet e ndërmarrjeve të mëdha, tashmë të privatizuara, duhet të shitet. Jam në dijeni se Ministria e Ekonomisë ka kontraktuar shumë muaj më parë konsulencën më të mirë botërore, siç është IFC, UNICREDIT dhe firma apo kompani, banka të një reputacioni europian botëror. Krahas kësaj është dhe INSIG, i cili për shkak të furtunës financiare botërore, pati problematikën e vet herën e parë, por prapë duke pasur parasysh shëndetin e kësaj sipërmarrje, mendoj se duhet të shqyrtohen termat dhe të përshtaten me situatën e realitetit dhe të procedohet me privatizimin e tij. Faktikisht çfarë është e madhe nuk mbetet asgjë pa privatizuar, por janë pastaj dhe 1280 objekte të tjera, të cilat janë në proces e sipër. Të gjitha këto objekte, në rastet kur ato kanë pronar, pronarit do t’i respektohet tërësisht e drejta e parablerjes. Është e domosdoshme që ato të kenë përparësi. Të tjerat do të privatizohen në përputhje me rregullat dhe transparencën e plotë”, - tha dje Berisha. Një proces i tillë, sipas kryeministrit, do ta bëjë ekonominë shqiptare më konkurruese. “Taksat e qytetarëve, biznesmenëve, nuk do të shkojnë për rroga, por do të shkojnë për shkolla, për rrugë, për spitale, për shërbime, për zhvillimin. Ato do të jenë në funksion të zhvillimit më të madh, më të shpejtë, të infrastrukturës, moderne si kusht i të gjitha kushteve për të realizuar objektivin tonë madhor, “Shqipëria vend i zhvilluar në vitin 2017”. Ndaj dhe zotërinj ministra, së shpejti do të mblidhet dhe task force për privatizimin, por këtu jemi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe unë mendoj se është në detyrimin tuaj, që nga dita e sotme, në tavolinat tuaja të keni çështjen e privatizimit. Çdo ditë të bëni bilancin e përpjekjeve, e proceseve, e punës së agjencive dhe vartësve për shpejtimin e këtij procesi jashtëzakonisht të rëndësishëm”, - tha ai. Një tjetër arsye për përfundimin e privatizimit të gjithë objekteve publike, përveç disa kategorive të caktuara, është edhe lufta kundër korrupsionit. “Procesi i privatizimit është një proces jetik në reformën ekonomike të një vendi, është një proces me rëndësi të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit, pasi e faktuan se pronësia dhe menaxhimi privat përben një kusht themelor të luftës kundër korrupsionit dhe të zvogëlimit të këtij fenomeni me pasoja të rënda”, - shtoi ai. Po dje, Berisha ka kërkuar nga Ministria e Transporteve që të kontraktohen kompani për mirëmbajtjen e autostradave kryesore në vend. “Zoti Ministër i Punëve Publike, në 4-vjeçarin që shkoi u ndërtua vepra më e madhe publike në historinë e këtij vendi...Ky vend nuk ka kapacitete publike për mirëmbajtjen e tij. Unë e di se ju keni kontraktuar dhe ministria juaj po punon me IFC-në, për ta dhënë për menaxhim sa më shpejt. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky proces të ecë, por unë mendoj se duhet të konsiderohet në këtë aspekt edhe akse të tjera rrugore. Sapo të përfundojë segmenti Shkëmbi i Kavajës – Rrogozhinë, atëherë dhe autostrada, Tiranë –Fier, Tiranë- Durrës, të shqyrtohet, të jepet për menaxhim. Këto janë vepra të mëdha. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve nuk disponon kapacitetet njerëzore dhe materiale për mirëmbajtjen e tyre. Mirëmbajtja e tyre është një proces shumë i ndërlikuar. Vende të tjera të mëdha, ndër më të mëdhatë e Europës, nuk marrin përsipër mirëmbajtjen, por ia japin kompanive të mëdha për t’i mirëmbajtur”, tha Berisha.
(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment