Shoqatat e bankave: Kreditimi këtë muaj 6 mld lekë më pak

TIRANE- Pavarësisht apeleve të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë për mbështetje me financime të ekonomisë, bankat e nivelit të dytë vazhdojnë të aplikojnë politika shtrënguese në kreditimin e bizneseve dhe qytetarëve. Të dhënat e fundit të Shoqatës së Bankave tregojnë se kreditimi i ekonomisë, edhe pse ka pësuar rritje, mbetet ende i ngadaltë. Kështu sipas të dhënave, në fund të muajit shkurt të këtij viti, nga sistemi bankar janë akorduar 496 miliardë lekë kredi ose 6 miliardë më shumë se muajin e kaluar, ndërsa kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, niveli i kredisë është rritur me 39.2 miliardë lekë.

Një ndër asryet e kujdesit që po tregojnë bankat është edhe rritja e nivelit të kredive të pakthyera, që në fund të shkurtit arriti në 14.6 për qind niveli më i lartë i shënuar deri më tani. Një shifër kjo që tregon se klientët kanë vështirësi për të shlyer këstet e huasë. Por nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë ka konstatuar edhe një rënie të kërkesës për kredi kryesisht nga bizneset, një tjetër tregues ky i problemeve që po has sipërmarja private.

Në raportin e fundit të politikës monetare, institucioni mbikqyrës bankar parashikon gjallërim të kreditimit gjatë muajve të ardhshëm. Kjo si pasojë e rritjes së kërkesës për hua nga biznesi. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë bën sërish thirrje për zgjerim të kreditimit, pasi sipas saj, sistemi bankar gëzon shëndet dhe likuiditet të mirë për të mbështetur rritjen e kërkesës për kredi, madje edhe me kushte më të mira kreditimi, duke nënkuoptuar këtu interesa më të leverdisshme. 


(Balkanweb)

No comments:

Post a Comment