Shembet tavani i kopshtit, fati i shpëton jetën 17 fëmijëve(FOTO)


Shembet tavani i  kopshtit, fati i shpëton jetën 17 fëmijëve
GJIROKASTER- Fati ka shpëtuar mrekullisht 17 fëmijë të një klase në kopshtit nr. 5 "Shpresa Demaj" të qytetit të Gjirokastrës, pasi në momentin e shembjes së tavanit të godinës, ata kanë qenë në shtëpi për pushimet e fundjavës. Sipas specialistëve, "nëse fëmijët do të ishin në godinë, 17 prej tyre do të ishin nën gërmadha".

Të paktën, dy klasa të godinës, përfshi tavolina, stola e mjete të tjera, janë shkatërruar krejtësisht nga pesha e inerteve të rëna. Në orët e para të ditës së hënë, alarmi për shembjen e godinës së kopshtit të fëmijëve, ka alarmuar prindërit. Ata nuk kanë pranuar që fëmijët t'i afrohen kësaj godine, ndërkohë që kopshtit i është vënë kyçi. 

Ndër të parët që u gjendën në godinën e shkatërruar, ishin forca të policisë së Gjirokastrës, që kanë filluar menjëherë nga hetimi. "Në funksion të hetimeve, janë thirrur ekspertë të fushës së ndërtimit dhe kemi shoqëruar për dëshmi disa persona. Ngjarja klasifikohet tepër e rëndë edhe pse, fatmirësisht, për shkak të ditëve të pushimit, në godinë nuk kishte njeri.

Pas ngjarjes i menjëhershëm ka qenë reagimi i dy palëve, bashkisë Gjirokastër dhe drejtorisë rajonale arsimore, të cilët kanë dhënë versionet e tyre mbi përgjegjësinë. Arjan Pano, kreu i DA-së akuzon bashkinë dhe drejtuesin e saj pasi sipas tij "ka qenë indiferente ndaj investimeve në këtë kopsht prej vitit 1998". Ai e quajti të qëllimshme të gjithë këtë situatë duke e cilësuar godinën jashtë standarteve dhe falë Zotit fëmijët kanë shpëtuar nga kjo ngjarje. Sipas tij, tashmë është ngritur kërkesa mbi mbylljen e këtij kopshti deri në sistemimin e godinës. Ndërsa drejtues të Bashkisë akuzojnë ministrinë e arsimit që nuk ka dhënë fonde për këtë godinë. Mes të tjerave, në intervistën e dhënë për "GSH-në", Vangjel Muço, nënkryetar i bashkisë pohoi se "investimi për rikonstruksionin është detyrim i drejtpërdrejtë i ministrisë së Arsimit dhe Shkencës".


(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment