Shake It, Shake It!

Artisti shqiptar që jeton në Nju Jork, Helidon Gjergji është bërë pjesë e një demonstrimi provokativ të artit bashkëkohor në Muzeun e Ri të qytetit. Në kuadër të Festivalit të Ideve për Qytetin e Ri, që mbahet këtë fundjavë në New Museum në Nju Jork, Gjergji shpreh mendimin e tij artistik dhe qytetar për atë që po ndodh me vlerat historike e arkitekturore të lagjes Bowery në New York City.
Instalacioni i tij është metaforë në mbrojtje të këtyre vlerave dhe vetë artisti hidhet në vijën e një fronti civil që kanë krijuar organizatat qytetare.
Vepra e tij, "Shake It, Shake It!", një ditë para prezantimit, nesër më 8 maj, në një hapësirë të Muzeut të Ri, na jepet vizatim. Gjergji bën një interpretim se si e sheh ai situatën, atë që po ndodh në lagjen më legjendare të Manhatanit.
Mbrojtja e historisë së Bowery-t është bërë kauzë e disa organizatave qytetare të cilat kanë protestuar vazhdimisht vitet fundit në mbrojtje të vlerave historike të kërcënuara nga ndërtimet e reja. Banorët kërkojnë që ndërtesat e veçanta të përfshihen në Regjistrin Kombëtar të Vendeve Historike dhe të mbështeten me grante nga shteti dhe qyteti për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e këtyre objekteve.
Duke e parë New York City-n në një kontekst të së shkuarës, të historisë dhe traditës, e që në imagjinatën e botës kolektive njihet si qyteti i fundit kozmopolit, Helidon Gjergji, ndalet në një aspekt pak të njohur: pasuria më paçmueshme e kozmopolitanizmit, - frut i proceseve shekullore të emigrimit, zhvillimit urban, prodhimit artistik dhe konsumit, dhe njëherësh i traditave të panumërta gjuhësore kulinare dhe fetare - është nën kërcënimin e vazhdueshëm e të keqes më të madhe që sjell globalizmi: e keqe e quajtur rrafshim i diversitetit socio-kulturor. "Nëse NYC personifikon kozmopolitanizmin, Bowery është pulsi i tij. Bowery, ndoshta më shumë se çdo lagje tjetër e qytetit, ka pësuar transformime të vazhdueshme në çdo kuptim të fjalës, e deri më sot ka ditur të ruajë vlerën thelbësore të diversitetit social-kulturor", thotë Gjergji. Megjithëse lagjen e kanë karakterizuar ndryshime të thella e të vazhdueshme, ka hapësira modeste të një tipologjie të veçantë arkitektonike, që shpesh është e vështirë t'i dallosh në ditët sot.
Me interes të veçantë, artisti shqiptar ka gjetur shtëpitë 200-vjeçare që ishin shënuar për t'u prishur. Ai vë në dukje vetëdijen që kanë treguar ndaj këtyre vlerave historike dhe kulturore, organizata të komunitetit vendas të cilat janë ballafaquar me Komitetin e Monumenteve NYC, për t'i mbrojtur ato. Ndërsa qytetarët presin vendimin, këto hapësira presin gjithashtu në një gjendje pezulli midis planit të shkatërrimit dhe vulës së historisë. Artisti i quan "metafora reale të kërcënimit që ka vënë në shënjestër lagjen dhe qytetin dhe mund të kthehen në një tjetër vend jo-vend".
Vizatimi i instalacionit të tij paraqet një makinë të rëndë ndërtim/shkatërrimi në vinçin e të cilës është varur një sferë me pasqyra. Projekti paraqet njëherësh perspektivën dhe shkatërrimin. Ajo sferë vezulluese e bën ndërlikon mesazhin, sepse nuk është e qartë nëse ajo fsheh peshën e një sfere shkatërrimtare apo mungesën e peshës të një globi diskoje. Gjergj shpreson një akt artistik, që kjo skulpturë e tija me titull "Shake it, Shake it!", të ketë një ndikim për sensibilizimin e njerëzve. "Arti duhet të jetë në vijnë e parë të mbrojtjes së këtyre vlerave dhe kundër zbatimit të vendimit për shkatërrimin e tyre." Festival of Ideas for a New City mbahet më 7-8 maj në New Museum në Nju Jork. New Museum, i themeluar më 1977, është i vetmi në New York City që i përkushtohet ekskluzivisht artit bashkëkohor. Festivali është një iniciativë madhore bashkëpunimi mes organizmave të ndryshëm të qytetit, universiteteve, komuniteteve artistike dhe ka për qëllimi që të japë një përfytyrim për qytetin e të ardhmes. Ai shërben si një platformë për artistët, arkitektët për të shkëmbyer ide, për të propozuar zgjidhje dhe për ta ftuar publikun që të marrë pjesë në përmirësimin e jetës urbane. Përfshin simpoziume, takime, debate, trajnime. Bowery do të shërbejë si shtyllë kurrizore e Festivalit i cili organizohet është organizuar nga "No Longer Empty" dhe mbështetet pjesërisht nga Rockefeller Foundation dhe Brookfield.



Kush është
Helidon Gjergji është lindur në Tiranë më 1970 dhe aktualisht jeton në Nju Jork. Ka studiuar në Tiranë, Napoli dhe Çikago. Është artist që lëvron disa mediume.
Ka ekspozuar Bienalen e 52-të të Venecias, në Bienalet e Tiranës dhe ndër të tjera në Lothringer Dreizehn Kunsthalle në Mynih, Chelsea Art Museum në Nju Jork, Temporary Services në Çikago, në Botkyrka Konsthall në Suedi. Gjergji ka qenë prezent në mjedisin shqiptar të artit me projektin e fasadave të Tiranës, projekt i përfshirë në Bienalen e Tiranës, vjeshtë 2009.


(www.shekulli.com.al/2011/05/07/shake-it-shake-it.html)

No comments:

Post a Comment