Alegri përgatit festën e titullit në Romë

Trajneri i Milanit ka grumbulluar të gjithë lojtarët e ekipit për ndeshjen e sotme kundër verdhekuqve.
1 pikë i mjafton Milanit sot për të fituar titullin kampion në “Olimpiko”. Pak rëndësi ka nëse Interi fiton, barazon ose humb nesër kundër Fiorentinës në “San Siro”, kur kanë mbetur edhe tri javë kampionat.

“Kam vendosur t’i grumbulloj të gjithë lojtarët, sepse, në rast se do të fitojmë kampionatin, mund të marrin pjesë në festë”. Në prag të ndeshjes që mund të mbyllë matematikisht kampionatin, Masimiliano Alegri ka provuar të bëjë rolin e të ekuilibruarit, duke mbetur pezull midis dëshirës për të festuar dhe shqetësimit për të mos prishur gjithçka:

“Roma, - ka thënë ai, - është një skuadër e fortë dhe Toti është në formë të mirë. Për të fituar do të duhet të bëjmë një ndeshje perfekte”. Më pas në lidhje me Ibrën: “Jam i sigurt se do të qëndrojë me ne”. Alegri ka preferuar ta mbaj lart përqendrimin e skuadrës dhe nuk ka besim te verdhekuqtë:

“Mungon vetëm një pikë, mund edhe të mos na duhet. Do të ishte një gëzim i madh, një arritje e rëndësishme për këtë grup. Roma për ne do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Ata kanë një mundësi të madhe për siguruar një vend në Ligën e Kampionëve.

Mbi të gjitha, humbja e Lacios të dielën e kaluar i ka çuar ata më afër objektivit. Pastaj ka qenë një nga skuadrat pretendente për të fituar titullin këtë vit në kampionat”. Trajneri kuqezi synon të fitojë edhe Kupën e Italisë:

“Të martën me Palermon na pret një ndeshje shumë e rëndësishme, do të na jepte mundësinë të shkonim në finale. Zgjedhjet që do të bëjë për sfidën kundër Romës do t’i bëjë duke menduar për ndeshjen e kupës.

Milani i ka të gjitha mundësitë për të fituar në Palermo”. Më pas, Alegri është kthyer të flasë për takimin e mbrëmjes së sotme kundër Romës: “Eshtë normale të bëhen zgjedhje, ata që do të shkojnë në tribunë do të duhet ta pranojnë zgjedhjen, edhe pse duhet të mendojmë edhe për gjysmëfialen e kupës”.

Alegri ka dashur të qetësojë edhe tifozët në lidhje me Zllatan Ibrahimoviçin: “Ka shumë dëshirë për të luajtur, duhet të bëjë një ndeshje të madhe. Do të kthehet Ibra, por edhe Pato. Do t’i kem në dispozicion të 4 sulmuesit. Zllatan do të qëndrojë edhe vitin tjetër? Sigurisht…”.

Në fund, tekniku kuqezi ka pranuar edhe kritikat e presidentit Silvio Berluskoni, që kanë ardhur pas ndeshjes së fituar të dielën kundër Bolonjës. “Presidenti ka thënë se skuadra nuk ka luajtur shumë mirë. Ka pasur të drejtë dhe e pranoj me qetësi kritikën”, ka thënë Alegri.

Kapiteni

Ambrozini: Fusha e “San Siros” është e turpshme
Masimo Ambrozini është afër festimit të titullit të tretë në Serinë A në karrierën e tij (i pari si kapiten i Milanit), por gjithsesi nuk është plotësisht i kënaqur: “Duhet një kopshtar. Fusha e “San Siros” është e trupshme. Ta lëmë Barcelonën të luajë për një vit këtu dhe të shohim nëse do të shënojë 150 gola.

Për sezonin e ardhshëm nuk kërkoj lojtarë, por një fushë më të mirë, - ka thënë kapiteni i Milanit. - E ardhmja ime? Të ishte për mua, do të qëndroja. Për momentin po pres, si të gjithë. Nuk mendoja se klubi do të priste kaq shumë për të sqaruar situatën tonë.

Ndoshta kanë vendosur të ndjekin këtë rrugë, sepse kanë qenë të shumtë lojtarët me kontratën afër skadencës. Besoj se secili nga ne ka pjekurinë të kuptojë atë që meriton, nuk jemi njëzetvjeçarë dhe nuk jemi mendjemëdhenj. I njohim strategjitë e klubit. Më pas, gjatë negociatave secili do të mendojë për pjesën e tij dhe është e drejtë që të ndodhë kështu”.

Mesfushori

Boateng mendon për tatuazhin e radhës
Pret me padurim të fitojë kampionatin e parë me Milanin. Kevin-Princ Boateng, një nga surprizat e skuadrës së Masimiliano Alegrit në këtë sezon, shprehet: “Sa më shpejt ta fitojmë, aq më mirë për të gjithë. Duam të luajmë në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë kundër Palermos me mendje të qetë.

Ndeshja kundër Romës? Nuk mjafton të zbresësh në fush për të kërkuar një pikë të vetme, do të ishte një qëndrim i gabuar. Do të luajmë në “Olimpiko” sikur të ishte finalia e Ligës së Kampionëve, - ka thënë mesfushori ganez i Milanit.

- Një tatuazh për titullin? Zakonisht një tatuazh qëndron përgjithmonë në trup. Po, mund të bëj një të ri për të festuar titullin, por edhe Kupën e Italisë. Por objektivi më i rëndësishëm në këtë moment për mua është kontrata me Milanin.

Si do të përfundojë? Unë do të shkoj me pushime, kam dëshirë të shkoj në plazh. Për sa i takon blerjes së plotë të kartonit tim, për këtë duhet të mendojnë të tjerët, jo unë”.

Merkato

Nesta dhe Pirlo tundohen nga Malaga
Adriano Galiani ka thënë se për rinovimet e kontratatve të lojtarëve do të të flitet vetëm në fundin e sezonit. Tani, kur mungojnë vetëm 20 ditë nga fundi i kampionatit, lojtarët “në skadencë” janë kthyer në qendër të vëmendjes. Midis situatave më delikate, me të cilat do të përballet klubi i Milanit, do të jetë edhe ajo e Alesandro Nestës.

Mbrojtësi 35-vjeçar duket se ka ndërmend të luajë edhe për një sezon, por nuk është e thënë se e ardhmja e tij do të jetë te Milani. Pronari i ri i Malagas, sheiku i Katarit Abdullah Naser është gati t’i ofrojë një kontratë mbrojtësit kuqezi.

Përveç Nestës, Malaga është e interesuar edhe për një tjetër milanist, i cili është afër skadencës së kontratës, Andrea Pirlo, për të cilin interesohet edhe Juventusi. Drejt largimit është edhe Didak Vila. I marrë në janar, mbrojtësi spanjoll nuk ka gjetur hapsira dhe mund të jepet borxh te Verder Breme.

Trajneri i Romës synon t’ua prishë festën kuqezinjve në sfidën e “Olimpikos”, pasi synon Championsin

Montela: Mund dhe duhet të mundim Milanin
Toti me shokë sot në mbrëmje do të bëjnë gjithçka është e mundur për të penguar Milanin të festojë kampionatin në “Olimpiko” të Romës. Nuk është vetëm çështje krenarie, por domosdoshmëri e renditjes. Roma, në fakt, është në garë për vendin e katërt që do t’i siguronte verdhekuqve kualifikimin në fazën paraeleminatore të Ligës së Kampionëve dhe do të kërkojë të marrë vetëm një rezultat: fitoren.

Verdhekuqtë kanë të njëjtin numër pikësh me Udinezen dhe janë vetëm një pikë larg Lacios, që nesër do të luajë në fushën e bardhezinjve. Kështu, Roma mund të përfitojë për të rimarrë vendin e katërt në renditje.

Ndër të tjera, Toti me shokë në fazën e parë kanë fituar në “San Siro”, duke rihapur kampionatin, dhe kanë ndërmend të bëjnë të njëjtën gjë edhe sot në mbrëmje kundër një Milani që i mjafton vetëm një pikë për të pasur sigurinë matematike për fitoren e titullit, duke parë se, edhe në rastin e një fitoreje të zikaltërve me diferencën në 6 pikë, do të kishin rëndësi përballjet direkte, që janë fituar nga kuqezinjtë.

“Pres një Milan që do të vijë në Olmipiko i qetë për të marrë një rezultat pozitiv, duke parë se titullin e kanë të sigurt dhe qetësia shpesh është një avantazh”. Këto kanë qenë fjalët e Vinçenco Montelas, i cili bashkë me Romën e tij ka ndërmend t’i prishë festën kuqezinjve:

“Duhet të japim maksimumin në aspektin fizik, teknik dhe psikologjik, sepse duam dhe duhet të fitojmë”. Në lidhje me garën për një vend në Champions: “Kam besuar gjithmonë dhe besoj akoma te ky objektiv”. Kundër Milanit Roma do të ketë një mundësi të artë për t’iu afruar ose për të marrë vendin e katërt në renditje dhe për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, por kjo duket se nuk e frikëson trajnerin verdhekuq:

“Na duhet fitorja, por për Championsin nuk ka një skuadër favorite. Kush është para nesh, për momentin ka më shumë mundësi, por nuk është e thënë se ata që janë mbrapa nuk kanë asnjë mundësi”. Rreziku numër një do të jetë Ibrahimoviç, për të cilin Montela nuk i ka kursyer elozhet:

“Kampionatet nuk fitohen rastësisht, dhe nëse ai është afër fitores së kampionatit të tetë radhazi, kjo ndodh sepse ai është një lojtar që bën diferencën”, ka thënë trajneri i Romës.

(www.sportishqiptar.com.al/alegri-pergatit-festen-e-titullit-ne-rome/)

No comments:

Post a Comment