Rama: Nuk do të lejohet përmbysja e rezultatit të Tiranës në tavolinë


Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste ka deklaruar se Komisioni Qendror Zgjedhor ka detyrim të nxjerrë rezultatin mbi bazën e procesverbaleve dhe se nuk mund të imponojë rezultat në tavolinë. Rama në një deklaratë për shtyp mbi veprimet e fundit të KQZ-së është shprehur se një veprim i tillë cenon stabilitetin e vendit.


"Ne fituam dhe disponojmë të 485 procesverbalet për çdo votë të numëruar në çdo kuti votimi të kryeqytetit. KQZ-ja ka detyrimin ligjor që thjesht të shpallë rezultatin mbështetur mbi procesverbalet. Kjo që po ndodh sot, kalon çdo cak të arsyes dhe kërcënon kufirin e fundmë të durimit të popullit që votoi rezultatin e njohur botërisht. Po tentohet të përmbyset rezultati i zgjedhjeve në Tiranës me një vendim kryekëput të paligjshëm, një akt dhune që kërcënon vetë stabilitetin e vendit", tha Rama.


Kreu i PS ka nënvizuar se "nuk ka forcë që vjedh forcërisht rezultatin në Tiranë" dhe i kërkoi Berishës që të mos i imponojë KQZ-së shkelje të ligjit. "Apeli im për Saliun është të ndalet këtu dhe të mos imponojë një shkelje ligjore që nxjerr nga kontrolli procesin dhe minon themelet e bashkëjetesës demokratike në këtë vend. Shqipëria sot ka nevojë për ekuilibër, qetësi, siguri në rrugën e saj dhe shqiptarëve politika u detyrohet respekt për votën e tyre, punë për zgjidhjen e problemeve të tyre, vizion për të ardhmen e tyre. Ne jemi gati të japim kontributin tonë me respekt, punë e vizion për Shqipërinë e të gjithëve ndërkohë që çka po ndodh në KQZ sot mban erën e keqe të historive të shkuara që s'mund dhe s'duhet të përsëriten", tha Rama. Lideri i opozitës ka shtuar se nëse një gjë e tillë do të ndodh do të kërkohet reagimi i qytetarëve.

(shekulli.com.al)

No comments:

Post a Comment