Librazhd/ Arrestohen 5 specialistët e prodhimit të bombave “Molotov”.

Një grup të rinjsh që prodhonin bomba artizanale “Molotov” u zbulua nga policia e Librazhdit orët e vona të së dielës, ndërsa po hetohet për qëllimin e aktivitetit të tyre. Megjithëse policia ka dy pista kryesore, peshkimin dhe shkatërrimin e hekurishteve për skrap, një tjetër pistë mbeten aktet kriminale. Si provë materiale u sekuestrua një sasi e madhe amoniaku dhe lënde djegëse, me të cilat mund të prodhoheshin deri në 10 bomba, ndërsa 5 persona të dyshuar u ndaluan për akuzën e “prodhimit dhe shitjes së armëve luftarake dhe municionit”.
Prodhimi i bombave
Aktualisht mendohet se pasi i prodhonin, të rinjtë ua shisnin bombat personave të interesuar, duke u mësuar edhe teknikat e përdorimit të tyre. Burime zyrtare nga komisariati i Librazhdit konfirmuan goditjen e këtij grupi kriminal dhe bënë me dije se deri në sigurimin e provave bindëse do të ndiqen në gjendje të lirë. Të ndaluarit janë Agron Kaca, 25-vjeç, Dritan Kaçiku, 26-vjeç, Alban Kontreli, 23-vjeç, Aurel Balliu, 21-vjeç dhe Arjan Biba, 21-vjeç, të gjithë banues në fshatin Zdrajsh të komunës Orenjë të këtij rrethi.
Hetimet
“Procedimi ndaj tyre filloi pasi, në fshatin Qerret, në vendin e quajtur “Veni”, të komunës Labinot-Mal të Elbasanit, gjatë një informacioni të marrë nga ana jonë, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi nitrat amoni, në shishe, si dhe një sasi lende djegëse naftë, në bidon, të cilat mendohet se mund t’i përdornin për prodhimin në mënyrë artizanale të lëndës plasëse”, bëri me dije policia vendore. Agjentët kishin marrë informacion për këtë veprimtari kriminale, por ende mbetet e paqartë se për llogari të kujt punonin të dyshuarit dhe se kujt ua shisnin pas prodhimit bombat artizanale “Molotov”.
Pistat
Një nga pistat më të besueshme është përdorimi për peshkim në lumin Shkumbin, ose hedhja në erë e bunkerëve për hekur, por nuk përjashtohet pista e atentateve për qëllime kriminale. Gjatë marrjes në pyetje të dyshuarit kanë thënë se i donin për të nxjerrë hekurishte për skrap dhe nuk kishin qëllime të këqija. Pas procedurave materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Elbasan, për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së armëve luftarake dhe të municionit”.

Korçë, vazhdon zvarritja e gjyqit të taksistit

Korçë- Ka vijuar ditën e djeshme në Korçë seanca gjyqësore e radhës për 6 të pandehurit e vrasjes së taksistit Fredi Talelli nga Piluri i Devollit. Në seancën e djeshme trupi gjykues i kryesuar nga kreu i gjykatës Adi Belishta kërkoi nga ana e akuzës, por edhe e mbrojtjes, konkluzionet përfundimtare me qëllim që të mos ketë më zvarritje, por një gjykim të shpejtë në seancën e ardhshme ku pritet të jepet edhe vendimi për 6 të pandehurit. Në seancën, e zhvilluar ditën e djeshme ishin të pranishëm sërish vetëm dy nga 6 të pandehurit, Arnest Xhacka dhe Kastriot Papleka ndërsa mungonin Elkjero Revani, Domeniko Kumria, Jurgen Zeqo dhe Amarildo Selmani. Seanca zgjati gati 4 orë me pyetjen e dëshmitarëve të fundit, konkretisht Ilir Gjyra dhe Klevis Gripshi, të cilët ishin edhe personat që do të blinin mjetin e viktimës. Trupi gjykues kërkoi leximin e dëshmive prej të pandehurve nga organi i akuzës duke konfirmuar edhe njëherë vrasjen me dashje të taksistit Fredi Talelli. Ndërkaq seancat e kaluara janë shoqëruar me tension nga familjarët e viktimës, ndërsa kanë kërkuar vijim normal të procesit dhe jo shtyrje të seancave. Fredi Talelli u vra në nëntor të vitit të kaluar dhe trupi i tij u gjet pas 8 ditësh në një kanal në fshatin Korritë të Korçës.

Policia e Tiranës, në gadishmëri pas zgjedhjeve

Policia e Tiranës vijon të jetë në gadishmëri dhe me një shërbim të përforcuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike pas periudhës zgjedhore. Ndërkaq, puna e strukturave të policisë së shtetit është përqendruar në drejtim të garantimit të rendit e sigurisë publike pranë dhe përreth vendeve të numërimit të votave, proces i cili ka filluar nga ora 18.00 e ditës së zgjedhjeve dhe do të vazhdojë deri në momentin e nxjerrjes së tabelave të rezultatit nga KZAZ-ve. Aktualisht nga shërbimet e policisë së shtetit vazhdon sigurimi i 20 vendeve të numërimit të votave në shkallë vendi, nga të cilat 12 ndodhen në Tiranë dhe 8 në bashki të tjera të vendit, përkatësisht: në Çorovodë, Burrel, Shijak, Tepelenë, Përmet, Laç, Pukë dhe Koplik. Deri në këto momente nga shërbimet e policisë është realizuar shoqërimi i materialeve zgjedhore nga vendi i numërimit të votave për në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për 46 KZAZ në shkallë vendi, të cilat kanë përfunduar procesin e numërimit të votave.

Ekstradohet ne Gjermani kosovari, akuzohet për vjedhje

Nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Prush/Kukës, është kryer arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë, i shtetasit kosovar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Armend Bakija vjeç 35, lindur në Gjakovë. Gjykata Rajonale e Hildesheim, Gjermani, e ka dënuar shtetasin Armend BAKIJA, me 3 vjet e 3 muaj burg, më datë 07.10.2008, për kryerjen e veprës penale "Vjedhje dhe rezistencë ndaj punonjësve të zbatimit të ligjit”, vepra këto të parashikuara nga nenet 242, 244 dhe 113, të Kodit Penal Gjerman. Shtetasi Armend Bakija në mars të vitit 2007 ka kryer disa vjedhje në banesa të ndryshme, përfshirë këtu një shumë prej rreth 2.260 Eurosh, një koleksion monedhash, si dhe disa bizhuteri me vlerë 16.950 Euro. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Wiesbaden, më datë 14.05.2011, u bë i mundur arrestimi i tij në vendin tonë me qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë.

Aksident në hyrje të Rinasit, 2 të plagosur

Një aksident me pasojë plagosjen e dy personave ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në afërsi të Rinasit. Dy makina njëra me targa të Shkodrës dhe një me targa të huaja janë plagosur me njëra-tjetrën duke shkaktuar dy të plagosur. Sipas informacioneve është plagosur drejtuesi i automjetit me targa Shkodre dhe një pasagjer i makinës me targa të huaja të cilët janë dërguar me urgjencë në spitalin Ushtarak. Dyshohet se shkak për aksidentin janë bërë shpejtësia me të cilën udhëtonin dy automjetet dhe lagështira në rrugë. Ndërkohë policia e cila ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Aksident në Shkodër-Lezhë, një i vdekur, 2 të plagosur

Lezhë/Një person ka vdekur dhe dy persona janë plagosur pas një aksidenti të rëndë në rrugën Shkodër-Lezhë. Ngjarja ndodhi në orët e vona të së dielës, rreth orës 23:00. Policia informon se një automjet me targa të Malit të Zi, është përplasur me një zetor. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Gjadër dhe shkak ka qenë mungesa e ndriçimit, mbrapa zetorit. Hetimet për ngjarjen po vazhdojnë me qëllim identifikimin e viktimës dhe të plagosurve.

(tiranaobserver.com.al)

No comments:

Post a Comment