Keqpërdorimi i parasë publike

Menaxhimi i financave publike nga institucionet e Kosovës bëhet në mënyrën më të keqe të mundshme dhe me aspak transparencë, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe ekspertë të çështjeve ekonomike. Në bazë të hulumtimeve të bëra, theksojnë ata, në shumicën e institucioneve ka keqpërdorim të parasë publike.

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se mungesa e transparencës në institucionet publike tregon qartë së në Kosovë ka keqpërdorim të parasë publike.

Merita Mustafa, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se ka mjaft parregullsi në menaxhimin e financave publike. Në shumicën e institucioneve publike mungon transparenca e parasë publike. “Në bazë të të dhënave shohim se në shumicën e institucioneve publike mungon transparenca e parasë publike. Duhet të forcohet mbikëqyrja nga organizatat e shoqërisë civile, për shkak se nëse kjo lihet vetëm në vullnetin e institucioneve, do të ketë probleme”, shprehet Mustafa.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Isa Mulaj, thotë se mosfunksionimi i sistemit ligjor ka bërë që individë të institucioneve të Kosovës të keqpërdorin me mjete të qytetarëve.

Ai thotë se Kosova ka mungesë mekanizmash, përmes të cilëve do të merreshin masa ndaj atyre që keqpërdorin paranë publike. “Kjo ndodh për shkak se nuk ka përgjegjësi apo llogaridhënie nga ato subjekte apo individë që e keqpërdorin paranë publike. Edhe nëse denoncohet dikush, e tëra çka mund të bëhet është vetëm të bëhet publike”, thotë Mulaj.

Autoritetet kosovare kanë deklaruar vazhdimisht se po punojnë në ngritjen e transparencës dhe të llogaridhënies. Ata kanë thënë se të gjitha raportet e hartimit dhe të ndarjes së buxhetit, pas finalizimit publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave.

Merita Mustafa thotë se nga hulumtimet e Institutit Demokratik të Kosovës, del se shumë vërejtje ka dhënë edhe Auditori Gjeneral për shpenzimin e parasë publike. “Së fundmi unë kam parë që mungon raporti i auditimit për Korporatën Energjetike të Kosovës, e cila është e perceptuar nga publiku si një kompani e korruptuar. Për këtë duhet ta ngremë zërin. Ajo ka marrë një shumë të konsiderueshme të parasë publike dhe duhet të ketë një transparencë se si po i shpenzon ato para dhe ku po i dërgon”, thotë Mustafa.

Ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë është miratuar në vitin 2008. Në këtë ligj, “paratë publike” nënkuptojnë paratë ose pasuritë financiare që pranohen dhe janë nën përkujdesjen e një autoriteti publik.

/Telegrafi/

No comments:

Post a Comment