Hapen të gjitha muzete falas sot në ditën ndërkombëtare

 
Muzetë historike në qytete të ndryshme të Shqipërisë hapin sot dyert falas për qytetarët në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve.

Që prej vitit 1977, çdo vit në 18 maj në të gjithë botën, Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve feston Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, si një moment i veçantë për çdo komunitet muzeor global dhe mundësi për profesionistët e muzeve për të takuar publikun.

“Muzeu dhe Kujtesa” është zgjedhur si motoja e këtij viti, ku ndër muzetë që do të qëndrojnë të hapur janë: Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë, Muzeu Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Etnografik në Krujë, Qendra Kombëtare e Muzeve Onufri dhe Muzeu Etnografik në Berat, Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë, ai Arkeologjik në Durrës, Muzeu i Artit Mesjetar, ai Arkeologjik dhe Shkolla e Parë Shqipe në Korçë.

Gjatë ditës së sotme mund të vizitohen pa pagesë edhe Parqet Arkeologjike dhe të gjitha monumentet e kulturës në të gjithë territorin e vendit.

Muzetë kanë në koleksionet e tyre objekte të shumta që janë thelbësore për kujtesën e komuniteteve. Këto objekte janë shprehje e trashëgimisë sonë kulturore e natyrore. Sipas specialisteve, shumë prej tyre janë delikate, disa të tjera edhe në rrezik dhe të gjitha kanë nevojë për kujdesje të vezantë dhe konservim të vazhdueshëm.
(balkanWeb.com)

No comments:

Post a Comment