Goditet banda shqiptare e prostitucionit, i sillte vajzat nga Greqia në Itali

Policia ndërmori një operacion të përmasave të mëdha, ku mundi të vërë në pranga plot 25 persona.Policia italiane ndërmori një operacion të përmasave të mëdha ku mundi të vërë në pranga plot 25 persona të lidhur me një grup që shfrytëzonte vajza të reja për prostitucion, si edhe ndihmonte emigracionin e paligjshëm, trafiqet e drogës dhe vjedhjet nëpër shtëpi. Mediat e vendit fqinj e cilësojnë këtë si një nga operacionet më të suksesshme të policisë përtej Adriatikut. Sipas tyre, bëhet fjalë për finalizimin e një aksioni, hetimet rreth të cilit kishin nisur rreth dy vjet më parë në rajonin e Firences dhe krahinat e saj, ku të përfshirë dyshohet se kanë qenë edhe shumë shqiptarë.

Duke iu referuar mediave italiane, mësohet se hetimi filloi në fillim të muajit nëntor të vitit 2009, pak pasi u arrit arrestimi i një prostitute ruse. Hetuesit e morën në pyetje të prangosurën, e cila nuk kishte nguruar të deklaronte mënyrën se si kishte mbërritur në Itali dhe mjaft informacione të vlefshme mbi mjediset e botës së prostitucionit. Ky informacion u konsiderua si mjaft i rëndësishëm për policinë e Firences. Në muajt që pasuan hetuesit e policisë rindërtuan këtë histori, duke identifikuar elementet e bandës përgjegjëse.

Mësohet se grupi organizues i gjithë veprave kriminale drejtohej nga shqiptarë, si dhe një duzinë bashkëpunëtorësh italianë, të cilët kryenin me zell kundrejt shpërblimeve të majme, rolin e menaxhuesve të “punës” së prostitutave. Midis tyre ishin edhe dy shoferë taksish, si edhe një agjent pronash të patundshme, i cili vinte në dispozicion të grupit kriminal shqiptar mjaft apartamente për të mbuluar aktivitetet e tyre ilegale nëpërmjet qirave të rreme etj. Konkretisht, policia italiane arriti të realizojë 11 urdhër-arreste, 5 arreste shtëpiake dhe 8 detyrime paraqitjeje para organeve të policisë për anëtarët e këtij grupi.

Ajo arriti të zbulojë me detaje gjithë skemën sesi vajzat shqiptare mbërrinin nga vendi i tyre dhe shfrytëzoheshin rrugëve të Firences nga banda e drejtuar prej bashkëkombësve të tyre, si edhe dhunën që pësonin nga ata. Policia italiane, lidhur me këtë operacion të përmasave të mëdha të goditjes ndaj krimit, pohoi se vajzat e dhunuara dhe të trafikuara mbërrinin në Itali në mënyrë të paligjshme përmes Greqisë, ky i fundit si vend transit për to.
(www.gazeta-shqip.com)

No comments:

Post a Comment