Futbolli francez, përçarje për lojtarët emigrantë

Futbolli francez, përçarje për lojtarët emigrantëFRANCË- Na ishte njëherë Franca kampione e botës, e bukur, fituese dhe mbi të gjitha multietnike. Ishte kombëtarja e “Gjelave” simboli i një shoqërie që donte shembuj të integrimit dhe kishte si idhuj futbollistë me origjinë të ndryshme.
Por, 13 vjet më pas, ajo Francë ka “vdekur”, madje është “varrosur”. Dhe kjo ka ardhur nga vetë protagonistët, që tashmë sulmojnë njëri-tjetrin edhe për çështje etnish. Bëhet fjalë për një skandal të kuotave etnike që po destabilizon gjithë lëvizjen futbollistike në Francë dhe po shtyn drejt dorëheqjes edhe Loran Blank. Trajneri i kombëtares mund të japë dorëheqjen, ndërsa mbrohet nga ish-kolegët me ngjyrë të bardhë dhe kritikohet ashpër nga ata me ngjyrë të zezë. Për “L’Equipe”, Blank mund të kalojë në një klub të madh italian.
Turam
I pari që ka ngritur zërin ka qenë Lilian Turam, i skandalizuar nga fjalët e Loran Blank, që gjatë një mbledhjeje në Federatë, më 8 nëntorin e vitit të shkuar, është shprehur për idenë fikse që të kufizohet numri i djelmoshave me dopio pasaportë, që një ditë i kthejnë shpinën Francës për të luajtur me kombëtare të tjera. Në shënjestër kanë përfunduar edhe futbollistët me ngjyrë, që sipas trajnerit të kombëtares, në vitet e fundit janë favorizuar me anë të modaliteteve teknike për t’u riparë. E tepërt për ish-mbrojtësin e Juventusit: “Duhet të largohen të gjithë, Blank ka gabuar”, deklaroi Turam.
Dugarri
Përkufizimi i bërë nga Turam nuk i ka pëlqyer një tjetër kampioni bote në vitin 1998. Kristof Dugarri është rreshtuar në krah të Blank, duke kujtuar një episod që shkatërron imazhin e përrallës franceze, mbretëresha e botës dhe e Evropës në fund të viteve ‘90. “Kujtoj që në dhomat e zhveshjes po festonim triumfin në Kupën e Botës, duke pozuar me Kupën, - rrëfen Dugarri. – Tram në një moment thirri përqark tij vetëm lojtarët me ngjyrë për të bërë një foto si kujtim. Aty për aty nuk i vura veshin, por Frenk Lebëf më tha se nëse do ta kishim bërë ne të bardhët një gjë të tillë, do të kishte plasur shamataja. Nuk dua të them se Turam është racist apo fashist, por nuk e duroj dot këtë sjellje të tij prej gjykatësi të Gjykatës së Lartë”, shtoi ish-sulmuesi.
Petit
Mesazhi i dhënë nga Dugarri është marrë qartë nga Turam, që të mërkurën në mbrëmje është përpjekur të kufizojë dëmet: “Nuk them se Blank është racist, por gabon kur thotë se duhen diskriminuar fëmijët e moshës 12 vjeç”, tha ai. Edhe Lizarazu ka qenë nga të parët që mbrojti Loran Blank. “Mund të garantoj se ai nuk ka qenë kurrë racist, diskutimi i tij në Federatë ka qenë thjesht teknik dhe jo etnik”, tha ish-anësori i kombëtares. Por, e mendon ndryshe Patrik Vieira, që thotë se “jam skandalizuar nga propozimet e Blank, nuk besoj se është racist, por është e rëndë kur thotë për të zinjtë se janë të gjithë të mëdhenj, të bëshëm dhe të shpejtë. Drejtuesit që ishin prezentë në atë mbledhje, duhet të largohen”. Por, përçarja mes grupit që fitoi Botërorin 1998 lindi një vit më parë, kur Emanuel Petit e kishte kapur direkt me Zinedine Zidane, i zgjedhur futbollisti më i mirë i atij Botërori. “Të gjithë e dinin se isha unë më i miri, por Zidane është një produkt i imigrimit, ka origjinë algjeriane dhe mund të jepte një mesazh politik strategjik: bëni si ai dhe do të integroheni në shoqërinë moderne franceze”. Që nga viti 2008, Petit ka vendosur t’u shpallë “luftë” ish-shokëve të ekipit.

ITALIANI
Materaci zbulon sekretin:
Ja takimi im me Zidane
Marko Materaci ka rrëfyer dje takimin me Zinedine Zidane në një hotel të Milanos më 3 nëntor, kur Reali i Madridit do të luante me Milanin në Champions. “Ai ishte me vëllanë dhe një mik, ndërsa unë me një shokun e tij, - tha Materaci. – Kisha shkuar për Murinjon dhe gjithçka ishte spontane. I thashë se më vinte keq për ç’ka ndodhi dhe ai më tha s’ka problem. Më vonë lexova që thoshte se më ngatërroi me një tifoz. Por, çdo njeri e kujton mirë fytyrën e atij që të ka shkatërruar karrierën”, shtoi ai.

(ballkanweb.com)

No comments:

Post a Comment