Basha: Askush nuk e di rezultatin, atë e vendos KQZ

Kandidati i mazhorancës mban një fjalim përpara simpatizantëve demokratë në përfundim të numërimit.

Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, nga selia blu, pak orë pasi në kryeqytet u numërua edhe fleta e fundit, deklaroi se ishte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, institucioni i cili do të jepte sot rezultatin final të kësaj gare të ashpër elektorale. Në një deklaratë të përmbajtur dhe ekuilibruese, Basha doli dje përpara mijëra simpatizantëve demokratë, të mbledhur në selinë blu, duke theksuar se rezultatin final askush nga palët nuk e dinte dhe secili do ta mësonte nga KQZ. “Unë e kam thënë që në fillim të procesit të numërimit se çdo votë duhet të numërohet në mënyrë të ndershme, të saktë dhe transparente. KQZ po përllogarit rezultatin final dhe ne ende nuk e dimë se kush është fituesi”, deklaroi Lulzim Basha në fjalën e tij, duke deklaruar se rezultati ishte shumë i ngushtë dhe asnjë nga kandidatët nuk kishte marrë 50% të votave. Nga ana tjetër, ai i quajti këto zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe theksoi se ishte i gatshëm që të përshëndeste dhe t’i uronte fitoren rivalit të tij në garë, Edi Rama, por priste që ai të bënte të njëjtën gjë me të, nëse KQZ-ja e nxirrte fitues. “Nëse në fund të këtij procesi z. Rama është me të vërtetë fituesi, unë do ta uroj atë, dhe nëse fituesi jam unë, shpresoj po kështu që ai të më urojë mua”, bëri të qartë Lulzim Basha. Por në fjalën e kandidatit të mazhorancës për zgjedhjet në Tiranë nuk u harrua edhe aspekti qytetar që, sipas tij, u vu re dukshëm gjatë fushatës. Ai shprehu mirënjohjen kryesisht për ata zgjedhës të rinj që e votuan dhe i ftoi ata të mbeteshin të angazhuar në përpjekjet e tyre për të sjellë ndryshimin në Tiranë dhe në Shqipëri. “Shumë prej jush që e mbështetët këtë fushatë, u angazhuat për herë të parë politikisht. Sot ju ftoj të mbeteni të angazhuar. Së bashku ne ndryshuam mënyrën sesi funksionon politika, në Tiranë, dhe në Shqipëri”, konstatoi Basha në fjalën përpara një turme të entuziazmuar mbështetësish. Sipas tij, ishte shumë e rëndësishme që fushata elektorale e zhvilluar gjatë muajit prill, solli zgjidhje dhe jo akuza, ide dhe sensin e llogaridhënies përpara qytetarëve shqiptarë. Kandidati i mazhorancës theksoi se kishte ardhur koha që qytetarët e Tiranës të mos bënin më beteja politike për të zgjedhurit e tyre lokalë, por të përqendroheshin te forca e ideve dhe shpresa për një të ardhme më të mirë. Sipas tij, këtë qëndrim e shprehën në mënyrë të qartë qytetarët e Tiranës me votën e tyre. “Qytetarët e Tiranës kanë dhënë një mesazh të fortë dhe të qartë: ata nuk duan që kryebashkiaku të luftojë beteja politike, ata duan që kryebashkiaku të luftojë betejat e tyre qytetare. Ata duan vende të reja pune dhe një Tiranë moderne europiane dhe jo grindje shterpë dhe fajësim të të tjerëve”, theksoi Basha, në fund të fushatës dhe të votimit për Tiranën. Sipas tij, në momentin kur këto zgjedhje të kishin përfunduar plotësisht, çdo qytetar pro dhe kundër tij duhet të bashkohej për një të ardhme më të mirë të vendit ku jetonte. “Kur të kemi rezultatin final dhe këto zgjedhje të kenë mbaruar, të gjithë ne duhet të bashkohemi për të punuar për një të ardhme më të mirë, ku të parët të jenë Tirana dhe qytetarët e saj”, theksoi Basha në fjalën e tij. Ai nuk harroi të përshëndeste familjen, bashkëpunëtorët në këtë fushatë, përfaqësuesit e Partisë Demokratike, komisionerët dhe numëruesit dhe të gjithë qytetarët e Tiranës për mbështetjen dhe besimin.
(gazeta-shqip.com)

No comments:

Post a Comment