Autoriteti i Ushqimit: Buka prodhohet në kushte të papranueshme

Produkti më i konsumuar në Shqipëri, buka, pavarësisht çmimit gjithnjë e në rritje, prodhohet dhe shitet në kushte që lënë shumë për të dëshiruar. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në një kontroll specifik që ka ushtruar gjatë dy muajve të fundit, në linjat e prodhimit të bukës në të gjithë vendin, ka konstatuar probleme të rënda që ndikojnë në mënyrë të drejtëpërdrejt në cilësinë e bukës.
Kështu, probleme janë konstatuar në mungesën e higjienës së ambienteve, prania e brejtësve, mungesa e etiketës, ku të jetë shënuar pesha, data e skadencës dhe shitja e bukës në qese plastike. Ndërsa ka pasur dhe raste, ku maja e bukës ka qenë mbi normën e lejuar. Më shumë se 220 njësi prodhimi të bukës janë gjobitur pikërisht për problemet e përmendura. Agjencia Kombëtare e Ushqimit ka vendosur dhe gjoba dhe nëse nuk merren masa për korrigjimin e vërejtjeve, do të ketë sanksione të tjera, deri në mbyllje të aktivitetit. Në një kontroll të mëparshëm të furrave të bukës është marrë një vendim i posaçëm, që buka të mos shitet në qesë plastike por me qese kartoni, ashtu siç shitet buka në të gjithë botën. Duke ruajtur një çmim prej 80 lekë për bukën standarde, prodhuesit e këtij produkti janë duke përdorur miellin e cilësisë më të dobët që mund të gjendet në tregjet ndërkombëtare. Kërkesa në vend për grurë shkon në 1200-1400 ton në ditë, duke u përkufizuar mesatarisht me ardhjen e një vapori në portet tona. Ndërsa prodhuesit bëjnë të ditur se cilësia e mirë e miellit që përdoret për të prodhuar bukë të cilësisë së mirë ka një çmim që fillon nga 120 lekë për kilogramë, deri në 280 lekë për kilogram. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer kontrolle në disa markete dhe supermarkete, nga më të njohurat dhe të mëdhatë në vend, dhe ka konstatuar probleme të shumta, mes të cilave dhe mallra të skaduara, që janë të rrezikshme për jetën e njeriut. AKU gjatë muajve të fundit ka qenë i pranishëm në tregun ushqimor, për të monitoruar e inspektuar këtë sektor të rëndësishëm të shoqërisë. Në bazë të planit të punës të miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU, i cili është shtrirë në të gjitha qarqet e Shqipërisë, ky institucion ka organizuar inspektime në operatorët e biznesit të fushës së tregtimit të produkteve ushqimore të magazinave ushqimore dhe të prodhuesve të produkteve ushqimore. Nga kontrollet e ushtruara në të gjitha qarqet janë inspektuar një sërë supermarketesh të mëdha, kompanish të prodhimit të produkteve me origjinë shtazore e magazinash, të cilat tregtojnë mallra ushqimorë më shumicë dhe janë vërejtur problematika të mëdha. Më kryesoret kanë të bëjnë me produkte ushqimore të importit, të paetiketuara në gjuhën shqipe, higjiena e personelit mungonte, magazinimi i produkteve ushqimore bëhej në kushte jo të mira higjienike, menaxhimi i mbetjeve nuk bëhej në mënyrën e duhur, nuk kishte plan kontrolli për brejtësit, gjendeshin produkte që iu kishte kaluar afati i skadencës.

(www.mapo.al)

No comments:

Post a Comment