Zgjedhjet, beteja për 12 bashkitë kryesore të vendit

Zgjedhjet, beteja për 12 bashkitë kryesore të venditTIRANE- Sot është dita kur dy kampet politike do të vihen përballë zgjedhjeve lokale që janë vlerësuar si më të rëndësishmet në 20 vitet e fundit ku padyshim ashpërsimi i kësaj gare janë dhe protesta e 21 janarit ku mbetën të vrarë 4 protestues të opozitës.

Betejat më të forta janë 12 bashkitë më të mëdha të vendit në rang qarku që kanë dhe numrin më të madh të votuesve, por gjithashtu dhe bashkitë e nivelit të dytë dhe komunat në të gjithë vendin.

TIRANE
Dy partitë më të mëdha në vend, PD e PS kandidojnë me figura të njohura. Beteja më e fortë mbetet kryeqyteti ku përballë do të vihen dy prej figurave më të spikatura të partive politike. Edi Rama që prej vitit 2005 drejton PS-në kandidon për të marrë drejtimin metropolit të vendit edhe për 4 citet e ardhshme pas tre mandateve si kryetar bashkie, ku Tirana ka pësuar zhvillime të rëndësishme demografike dhe sociale. Me sloganin “E vetmja rrugë” Rama kërkon votëbesimin e qytetarëve për të vazhduar atë që ai e vlerëson “Projekti për Tiranën europiane” por edhe qendër rajonale.

Mazhoranca kandidon në këtë garë Lulzim Bashën. Një nga figurat më të spikatura të qeverisë Berisha. Njeriu që nga demokratët vlerësohet si arkitekti i hyrjes në NATO dhe liberalizimit të vizave. Me sloganin “Ju jeni të parët” Basha kërkon të marrë drejtimin e Tiranës në një sfidë tejet të vështirë ku tre figurat e njohura të demokratëve kanë humbur në votimet e mëparshme.
ELBASAN
Një tjetër përballe e rëndësishme është ajo e Elbasanit. Ku Qazim Sejdini i PS-së kandidon përballë Durim Hushit të LSI-së.
Sejdini fitoi për PS-në bashkinë e Elbsanit në zgjedhjet e 2007, pasi i kishin humbur ato të 2003. Sejdini vlerësohet si një kryebashkiak që ka kontribuar shumë për qytetin dhe konsiderohet si favorit në këto zgjedhje. Përballë tij është Durim Hushi, një ish socialisti i cili prej disa muajsh i është bashkuar partisë së Ilir Metës. Shkak për prishjen me socialistët ishte votimi që i bëri emrit të Bamir Topit për president në vitin 2007 duke shkelur urdhrin e partisë për të mos votuar.
DURRES
Në Durrës përballja është mes kryetarit aktual Vangjush Dako, i cili kandidon për një mandat të dytë dhe ish ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhaferraj, i vlerësuar nga demokratët si një nga ministrat më të rëndësishëm të kabinetit qeveritar.
Me sloganin “E vetmja rrugë për Durrësin” Dako kërkon të vazhdojë projektet e filluara,ndërsa Xhaferraj me sloganin “Durrësi meriton më shumë” premton kthimin e qytetit në një nga qendrat e turizmit rajonal.
FIER
Në Fier, kryetari i bashkisë Baftiar Zeqaj garon për një mandat të tretë në krye të bashkisë më kryesore në zonën e Myzeqesë. Përballë tij është kandidati Ilir Bele i cili ka sloganin kryesor “Bashkë për Fierin”
VLORE
Në Vlorë është përballja mes kryetarit aktual të Vlorës, Shpëtim Gjika dhe ish deputetit demokrat Ardian Kollozi. Gjika kërkon mandatin e tretë, pasi mori postin e kryetarit të bashkisë në 2003 dhe u rikonfirmua në 2007. Gjika si gjithë kandidatët e “Aleancës për të Ardhmen” kandidon me sloganin “E vetmja rrugë për Vlorën”. Nga ana tjetër rivali i tij Ardian Kollozi një personalitet i njohur i demokratëve kërkon të thyejë traditën vlonjate që prej vitesh votojnë majtas në zgjedhjet lokale.
BERAT
Në Berat garojnë kryetari aktual i bashkisë Fadil Nasufi i PS, i cili konkuron për një mandat të tretë. Përballë tij është mjeku Ilir Decolli i cili kandidon nën siglën e “Aleancës për Qytetarin”
KORCA
Korca do të ketë përballë dy garues të fortë që më parë kanë mbajtur postin e rëndësishëm të prefektit. Niko Peleshi i PS-së kandidon për një mandat të dytë, pas fitores në vitin 2007, ku kthehu në një fitore të të majtëve bashkinë më të rëndësishme të juglindjes së vendit. Ai garon me sloganin “Një hap përpara”. Përballë tij do të jetë Andrea Mano i cili ka premtuar se do sjellë ndryshim për Korcën.
GJIROKASTER
Qyteti jugor i Gjirokastrës do të ketë përballë kryetarin aktual Flamur Bime i cili garon për një mandat të tretë për kryetar bashkie, me Genc Sinoimeri që kandidon nën siglën e LSI-së.
LEZHE
Lezha paraqet një tjetër betejë të fortë. Viktor Tusha i LSI-së aktualisht kryetar bashkie garon për një tjetër mandat. Ai u shpall fitues në 2007 nën siglën PS- LSI. Përballë tij do të ketë një kandidat të fortë të PS-së ish deputetin Gjok Jaku, i cili më parë ka drejtuar bashkinë e Lezhës.
SHKODER
Kryeqendra e veriut, Shkodra do të ketë përballë nga PD, kryetarin aktual të bashkisë Lorenc Luka, përballë socialistit Genc Uruci.
PESHKOPI
Në qarkun e Dibrës, në bashkinë e Peshkopisë, kryetari aktual i bashkisë Ilir Klosi garon për një mandat të tretë në krye të kësaj bashkie. Nga opozita garon Ilir Vranicim, i PS-së.
KUKES
Në Kukës kandidon Hasan Halilaj, kryetari i bashkisë,nën siglën e PD-së përballë kandidatit PS, Alfred Cenko.
Përvec betejave për qarqet kryesore të vendit gara të forta do të ketë dhe në bashki të tjera të venduit si ajo e Lushnjes, ku përballë do jetë kandidati i PS-së, ish deputeti Fatos Tushe dhe kryetari aktual i bashkisë Alber Sanxhaku.
SARANDE
Në Sarandë do të jetë nga PS , ish ministri i Brendshëm Stefan Cipa dhe kryetari aktual Rajmond Gjoka.
TEPELENE
Në bashkinë e Tepelenës përballë do jetë kryetari aktual Sevo Mici, ndërsa nga socialistët do të jetë Mehmet Peci.
Ballshi, Laci, Librazhdi, Gramshi, Kavaja Peqini e Pogradeci, e Tropoja pritet të kenë një garë të fortë në këto zgjedhje.
(BalkanWeb)

No comments:

Post a Comment