Vrasja e deputetit Xhindi, djali: Shteti eshte kalbur

TIRANE-"Ne si familje e kemi humbur besimin totalisht tek të gjitha strukturat e shtetit, pavarësisht premtimeve të tyre boshe për zbardhjen e ngjarjes ku u vra në mënyrë makabre Fatmir Xhindi. Ky shtet dhe të gjitha strukturat e tij, për ne si familje nuk janë serioze. Madje do të thoja, të kalbura në thelbin e tyre". Kështu deklaroi dje Anduel Xhindi, djali i ish-deputetit socialist, Fatmir Xhindi, i cili u ekzekutua më 2 maj të vitit 2009 në pragun e shtëpisë së tij. Heshtja dhe paaftësia e organeve kompetente ka indinjuar thellë të afërmit e viktimës, të cilët deklarojnë se ngjarja do të zbardhet vetëm me fuqizimin e shtetit dhe të strukturave të tij.
Me rastin e dyvjetorit të kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi jo vetëm familjarët e viktimave por mbarë opinionin publik në Shqipëri, u bënë homazhe në heshtje pranë bustit të ish-deputetit të vrarë që u ngrit në qytezën e Roskovecit pak javë më parë, si dhe në varrezat e fshatit Kurjan, ku prehet 49-vjeçari. Përveç familjarëve, banorëve të Roskovecit, bënë homazhe dhe krerët më të lartë të Partisë Socialiste, dega Fier; drejtues të pushtetit vendor; deputetë të qarkut, mes tyre edhe kreu i grupit të PS-së për Fierin, Gramoz Ruçi. Lot, nga-shërime dhe heshtje ishin apeli i të gjithëve drejtuar shtetit për vrasjen e mistershme të Fatmir Xhindit. Ndërkohë, në një intervistë qe publikohet sot ne "Gazeta Shqiptare", djali i ish-deputetit socialist u shpreh se beson që një ditë do të zbardhet ngjarja ku mbeti i vrarë babai i tij. Anduel Xhindi pohoi edhe njëherë se vrasja ka motiv të pastër politik.

No comments:

Post a Comment