Kanceri i mushkërive

Diagnostikimi i hershëm mund të na shpëtojë.Një analizë gjaku për të zbuluar tumorin kur është ende i vogël. Pastaj tomografia për duhanpirësit dhe ilaçet e duhura. Për herë të parë është ulur numri i vdekjeve në botë. Vetëm tani mund ta ndalim të keqen...
Rreth 2.3 për qind vdekje më pak, kur flasim për kancerin, është vërtet një shifër domethënëse. Aq më tepër kur bëhet fjalë për kancerin e mushkërive, atëherë po që kemi të bëjmë me një revolucion të vërtetë. Gjithsesi të tremb fakti se gjithmonë e më shumë, ky lloj kanceri po prek gratë, pasi ato e kanë më të vështirë të heqin dorë nga duhani. Ulja e numrit të vdekjeve lidhet edhe me kapjen e hershme të sëmundjes. Nëse masa është ende në fillimet e saj, përmes ndërhyrjes kirurgjikale mund të pastrohet e gjithë zona dhe mundësitë për t’u shëruar janë të mëdha. Tumori i mushkërive është “vrasësi i madh”, që në thelb i reziston çdo sulmi terapeutik të zbuluar deri më tani. Me pak fjalë, vetëm diagnoza e hershme mund të na shpëtojë jetën.
Studimi

I pari i këtij lloji, i bërë nga një grup kërkuesish italianë, tregoi se “të sëmurët me tumor kanë sasi të ndryshme, në krahasim me personat e shëndetshëm, të fragmenteve të vogla gjenetike të ARN-së. Për këtë arsye, menduam se ia vlen të shihnim nëse këto fragmente mund të ishin të nevojshme si tregues tumoralë. Morëm rreth njëmijë duhanpirës dhe analizuam fragmentet e tyre gjenetike përmes gjakut dhe biopsive. Në këtë mënyrë arritëm në përfundimin se tumoret e mushkërive përmbajnë sasi të ndryshme të rreth 20 prej këtyre fragmenteve dhe këto përbëjnë një firmë të vërtetë gjenetike, ku nuk mund të gabosh. E dhëna më e rëndësishme është se ato na lejojnë të dallojmë tumoret që nuk do të bëhen kurrë të rrezikshme dhe të tjerëve që nisin të japin metastaza sapo formohen dhe që janë të destinuar në pjesën më të madhe të rasteve të lënë gjurmë të mëdha në organizëm. Ky ishte një konfirmim që të gjithë po e kërkonim prej vitesh”. Këta shënjues gjenden në gjak dhe për t’i identifikuar është shumë e thjeshtë. Zakonisht një test i tillë nuk kushton më shumë se 100 euro. Në pritje që këto të bëhen analiza rutinë, testi më i rëndësishëm është i ashtuquajturi tomografia spirale, përmes së cilës mund të dallohen edhe masa të vogla tumorale, pak milimetra, duke shpëtuar jetën me një ndërhyrje kirurgjikale radikale. Duhanpirësit, tregon onkologu më i mirë italian, duhet ta kryejnë këtë ekzaminim shpeshherë. Por jo të gjithë janë dakord: ky lloj ekzaminimi është pak specifik dhe ashtu siç ndodh për etapa të caktuara në kancerin e gjirit, nuk arrin të dallojë një masë që nuk rritet dhe nuk shndërrohet në malinje dhe qelizat e veçanta, të cilat mund të bëhen një tumor i pashërueshëm me kalimin kohës. Me pak fjalë, sot zgjedhja për të bërë apo jo një tomografi spirale është individuale dhe varet shumë nga fakti se sa në rrezik është subjekti (duke nisur se sa kohë ka pirë duhan). Edhe pse shumë spitale propozojnë këshilla, është gjithmonë konsulta me mjekun për të vlerësuar nëse duhet apo jo domosdoshmërisht. Ndërsa ekspertët janë të ndarë mbi mundësinë për ta bërë një metodë ekzaminimi për të gjithë, ashtu siç është mamografia. Sepse kjo analizë mbart me vete jo vetëm ekspozimin ndaj rrezatimeve, por edhe rreziqe të tjera.
Ilaçet “ad hoc”

Edhe në fushën e ilaçeve, diçka po lëviz. Gjithmonë e më shumë në bazë të hartës gjenetike po krijohen ilaçet e personalizuara që i përgjigjen më mirë nevojave të pacientit. Ekzistojë pra terapi për lloje të ndryshme tumoresh.
Rreze shprese

Ndërsa ilaçet mbeten për një numër të madh pacientësh shpresa e vetme, është terapia me rreze ajo që bën diferencën. Në Milano, për shembull, funksionon TrueBeam, akseleratori i ri që gjendet vetëm në Zyrih dhe Amsterdam: “TreuBeam ka një fuqi dhe një saktësi të jashtëzakonshme. Ai vepron mbi masën tumorale me një saktësi milimetrike në pak minuta, duke llogaritur edhe lëvizjen e organeve të brendshme. Jemi këtu të veprojmë në katër dimensione dhe në të njëjtën kohë të ndryshojmë dozën e rrezatimeve dhe të shkurtojmë kohën që duhet. Për dhjetë minuta, përfshi edhe përgatitjen para seancës, gjithçka përfundon”, tregojnë specialistët. Me këtë pajisje, sot mund të operohen tumore në mushkri, te të cilët më parë nuk mund të ndërhyhej. Ajo që ka rëndësi lidhet me faktin se më në fund, tumori i mushkërive nuk është më tabuja që ishte disa vjet më parë. Një pjesë e mirë e të sëmurëve, nëse diagnostikohen shpejt, ia dalin mbanë
Larg duhanit

Në SHBA, për herë të parë është ulur numri i femrave duhanpirëse, si dhe numri i vdekjeve mes tyre për shkak të tumoreve. Në shumë vende, modeli i gruas duhanpirëse mishëron modernen, gruan e emancipuar, jashtë kornizave që di të jetë e barabartë me meshkujt, si në veprime ashtu edhe në gjeste. Amerikanet, përkundrazi, kanë arritur të eliminojnë duhanin si simbol i emancipimit dhe lirisë dhe ta konsiderojnë atë si një ves social negativ. Shumë gra “high class” apo “trendy” kanë vendosur të heqin dorë, duke e konsideruar duhanin si një zakon jashtë mode. Një temë tjetër që i bën gratë më të përgjegjshme është ajo e përgjegjësisë familjare: mendimi se duhani mund t’i shkaktojë dëme fëmijës është gjithmonë i pranishëm. “Por sot kemi në dispozicion një mjet shumë efikas për diagnostikimin e hershëm të tumorit në mushkri e që mund të reduktojë vdekshmërinë: është tomografia spirale. Në një studim të fundit amerikan është konfirmuar se kjo analizë, e bërë në mënyrë të vazhdueshme te njerëzit që pinë duhan, redukton vdekshmërinë me 20 për qind.

No comments:

Post a Comment