Vetëvendosje diskuton për pensionet.

Lëvizja Vetëvendosje organizoi sot një tryezë të rrumbullakët ku u diskutua sistemi aktual i pensioneve në Kosovë si dhe mundësitë për përmirësimin e tij.
Qëllimi i kësaj tryeze ishte të shpaloset një ide fillestare me qëllim të nxitjes së diskutimit rreth kësaj çështje të rëndësishme sociale, politike por edhe ekonomike.
Përpos aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Dardan Sejdiu dhe Visar Ymeri të cilët prezantuan platoformën për evoluimin e sistemit pensional, në këtë tryezë morrën pjesë edhe përfaqësues nga sindikatat, shoqëria civile dhe nga subjekte të ndryshme politike.

Gjatë prezantimit u tha se sistemi pensional radhitet në njërën prej pikave më të rëndësishme të politikave publike, dhe si i tillë ai duhet të jetë i mirëmenduar dhe mirëdiskutuar.

“Ky në Kosovë ka qenë i imponuar, qoftë nga rrethanat, apo nga vullneti i një grupi të caktuar njerëzish. Si i tillë ai ka shumë mangësi. Më e theksuara nga të cilat mbetet statusi i pensionistëve aktual, si dhe nëpërkëmbja e të drejtave të tyre nga sistemi i zbatuar në Kosovë”, thuhet në deklaratën për shtyp të kësaj lëvizjeje.

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se pensionet janë e drejtë e garantuar që e gëzon qytetari e jo favor i pushtetit ndaj qytetarit. Dhe sistemi pensional duhet ta garantojë mirëqenien e të gjithëve.

Përfaqësuesit e partive të pensionistëve kritikuan Qeveritë e pasluftës të cilat nuk kanë marrë asnjë hap konkret për kthimin e fondit pesnional të grabitur nga Serbia.

Ata theksuan ndër të tjera se edhe projektligji për sistemin pensional, që pritet që Qeveria ta sjellë në Kuvendin e Kosovës është diskriminues për pensionistët aktual sepse i përjashton ata si dhe në shpërputhje me konventat ndërkombëtare.

Kjo tryezë u vlerësua si hapi i parë drejt krijimit të një platforme të përbashkët për krijimin e një sistemi pensional, i cili përmirëson gjendjen e pensionistëve aktual por edhe të qendrueshëm për gjeneratat e ardhshme.

(albeu.com)

No comments:

Post a Comment