Vendimi KQZ-së, SHBA: Baza ligjore e paqartë

Shtetet e Bashkuara nëpërmjet ndihmës/sekretarit të Shtetit, Thomas Countryman, deklarojnë se baza ligjore e KQZ-së për numërimin e votave të gabuara është e dyshimtë dhe në kundërshtim me praktikat e mëparshme.

Zoti Countryman deklaroi se vendimi u mor pas mbarimit të numërimit për Tiranën dhe se nga përfundimi i procesit në Kolegjin Zgjedhor do të varet e ardhmja e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Cështja e votave të hedhura në kutitë e gabuara nuk u trajtua ashtu sic duhet. Ne thamë që në fillim se rregullat duhet të jenë të qarta dhe duhen zbatuar në mënyrë transparentë dhe të drejtë”, nënvizon Countryman.

Zyrtari i lartë amerikan mendon se kjo duhet të ishte bërë përpara zgjedhjeve dhe me konsensus mes partive pa patur nevojë të hidhte hije mbi një proces që ishte shumë pozitiv.

“Dua të vë në dukje se unë nuk po them që vendimi është i paligjshëm. Unë thjesht po them se baza ligjore nuk është e qartë për ne dhe duket se nuk është në përputhje me praktikat e mëparshme të komisioneve zgjedhore”, tha zoti Countryman.

Zv/ndihmës-sekretari i Shtetit Countrymen tha se tani çështja duhet zgjidhur përmes institucioneve kushtetuese. Pra, së pari me apelime në KQZ dhe pastaj në Kolegjin Zgjedhor. Ky proces duhet të vazhdojë në mënyrë të pavarur dhe të dy palët duhet të premtojnë se do ta respektojnë rezultatin. Pyetjes nëse kjo mosmarrëveshje pret një zgjidhje politike apo ligjore, zoti Countrymen iu përgjigj:

“Kur flas për vendime konsensuale, dhe tani flas në emër të Shteteve të Bashkuara, e kam fjalën për një vendim që duhet të ishte marrë brenda KQZ-së para zgjedhjeve, në lidhje me atë se çfarë duhej bërë për fletëvotimet e hedhura në kutitë e gabuara, që ka qenë çështje e lindur që në votimet e mëparshme. Tani kemi certifikimin e rezultateve të përkohshme nga KQZ-ja që nuk u mor në bazën e një konsensusi, prandaj tani kjo është çështje ligjore që i takon Kolegjit Zgjedhor ta vendosë. Ne presim që Kolegji Zgjedhor të marrë një vendim të bazuar në ligj, pa presionin e asnjë prej partive. Ky është detyrim ligjor. Në aspektin politik, ne presim që të dy palët të shmangin kërcënimet për demonstrata dhe dhunë nëse nuk u pëlqejnë rezultatet”, tha zoti Countryman.

Ai tha se nuk është e përgjegjshme të thuhet që përpara, se rezultatet nuk do të pranohen, nëse njëri prej kandidatëve mbetet i pakënaqur. Ne presim tha zoti Kantrimen, që palët të respektojnë vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe të tregojnë më shumë bashkëpunim në të gjitha nivelet e pushtetit.

Diplomati amerikan shtoi se perspektiva e integrimit europian të Shqipërisë do të varet nga mënyra e zgjidhjes së këtij procesi zgjedhor. Ky proces tha ai, duhet zgjidhur përmes mekanizmave ligjore, me dinjitet dhe jo me dhunë.

Zoti Countryman vlerësoi pjesëmarrjen e gjërë në zgjedhjet për pushtetin lokal duke thënë se kjo tregon se shqiptarët janë të interesuar për të ardhmen e tyre.
(top-channel.tv)

No comments:

Post a Comment