Universitetet italiane, si do të regjistrohen studentët

Publikohet udhëzimi për regjistrimin e studentëve shqiptarë pranë universiteteve italiane.Ambasada bëri me dije dje të gjitha procedurat që duhet të ndjekin kandidatët si dhe degët ku mund të aplikojnë. I gjithë procesi do të kryhet në dy faza. “Në fazën e parë studentët duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm për procedurën e para-regjistrimit (dokumentet do të dorëzohen personalisht nga të interesuarit pranë Ambasadës Italiane, duke caktuar takim nga data 6 deri në datën 17 qershor 2011)”, thuhet në udhëzim. Sipas tij, më pas, nga data 1 deri në datën 31 korrik, do të dërgohet përmes korrierit ‘Albanian Courier’ Dëftesa e Pjekurisë (ose Diploma universitare) dhe dokumentacioni i nevojshëm për vizën për studim/universitet. “Ambasada Italiane do t’u lëshojë vizën studentëve sapo të ketë marrë konfirmimin e regjistrimit prej Universitetit dhe do t’i dorëzojë të interesuarve (gjithmonë përmes ‘Albanian Courier’) pasaportën dhe dokumentet e legalizuara.” përcakton udhëzimi. Studentët që dëshirojnë të fillojnë procedurën e para-regjistrimit, duhet të caktojnë një takim pranë Ambasadës Italiane përmes shërbimit “Prenoto Online”, në ëeb site-in e Ambasadës Italiane në Tiranë (ëëë.ambtirana.esteri.it), duke zgjedhur shërbimin “Regjistrimet Universitare”. Takimi mund të caktohet edhe përmes call center-it, në numrat 0900 404 3000 (nga telefonat fiks) dhe 0900 404 4000 (nga telefonat celularë). Takimet mund të caktohen nga data 6 deri në datën 17 qershor 2011. Studentët duhet të paraqitën në datën e takimit me dokumentacionin e mëposhtëm. Të gjitha dokumentet mund të shkarkohen në ëeb site-in e Ambasadës). Studentët e regjistruar në vitin e fundit, që do të marrin dëftesën në verën e 2011, do të paraqesin një vërtetim notash, me notat e tre viteve të para dhe të semestrit të parë të vitit të fundit. Dëftesa përfundimtare do të dorëzohet në Ambasadë përpara lëshimit të vizës. Studentët që dëshirojnë të regjistrohen në kurset e ciklit të dytë (Laurea Magistrale) duhet të dorëzojnë Diplomën universitare, listën e provimeve dhe programin e detajuar për çdo provim. Studentët e regjistruar në vit të fundit të sistemit trevjeçar, që do te marrin diplomën brenda verës së vitit 2011, duhet të dorëzojnë një vërtetim me provimet e dhëna. Diploma përfundimtare do të dorëzohet në Ambasadë përpara lëshimit të vizës. Sipas udhëzimit, dokumentet e lëshuara nga institucionet shqiptare duhet të jenë të legalizuara. “Dokumentet e shkollës së mesme duhet të vulosen pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Më pas, dokumentet duhet të përkthehen në gjuhën italiane dhe të legalizohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme (duhet të legalizohet origjinali dhe përkthimi)”, thuhet në udhëzim. Ndërsa dokumentet universitare duhet të vulosen pranë Rektoratit dhe më pas të përkthehen në gjuhën italiane dhe të legalizohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme (duhet të legalizohet origjinali dhe përkthimi). Nga data 1 deri në datën 31 korrik, studentët që kanë bërë kërkesën për para-regjistrim duhet t’i dorëzojnë Ambasadës Italiane, përmes “Albanian Courier”, Dëftesën e Pjekurisë ose Diplomën universitare të legalizuar (nëse nuk janë dorëzuar në fazën e parë) si dhe dokumentacionin e nevojshëm për lëshimin e vizës. Në fazën e dytë nuk do të jetë e nevojshme që studentët të paraqiten personalisht në Ambasadë: të interesuarit do të dorëzojnë në zarf dokumentacionin e nevojshëm përmes zyrës më të afërt të “Albanian Courier”.

Dokumentet për pararegjistrim

1. Formulari i regjistrimit (modelo A) tërësisht i plotësuar, por i pa firmosur, në origjinal dhe 2 fotokopje.

2. Formulari i autentikimit të fotografisë, tërësisht i plotësuar, por i pa firmosur, në origjinal dhe 2 fotokopje.

3. Dëftesa e Pjekurisë dhe Certifikata e Maturës Shtetërore, në origjinal dhe 2 fotokopje. Studentët që nuk zotërojnë më Dëftesën origjinale do të dorëzojnë një vërtetim me rezultatet e të gjithë viteve.

4. Fotokopje e Formularit A 1 për regjistrimin në 2 provimet me zgjedhje (për studentët që nuk zotërojnë ende Certifikatën e Maturës Shtetërore).

5. Fotokopje e Certifikatës së gjuhës italiane lëshuar nga Universiteti i Perugia-s (Celi 3).

6. Fotokopje e pasaportës.

7. 2 fotografi
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment