Matura ngujon hartuesit, ja si do jetë testi i Letërsisë

Në vëzhgim 24 orë nga forcat e policisë. Hartuesit e tezës së provimit të Letërsisë u ngujuan dje pranë Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të nxënësve.Ata nuk do të kenë asnjë komunikim me askënd jashtë kësaj godine deri në datën 1 qershor, kur më shumë se 34 mijë maturantë japin provimin e parë të detyruar të maturës. Në bazë të rregullores, përjashtim do të bëjnë vetëm rastet emergjente, ku të vetmit persona me të cilët do të komunikohet janë ministri i Arsimit dhe zëvendësministri Halit Shamata. Ky i fundit tregoi dje d detajet rreth procesit të hartimit të tezave. “Janë dy hartues që ngujohen dhe që ndihmojnë njëri-tjetrin. Pas kësaj përzgjedhin testin, ndërkohë që ofrohet një bankë pyetjesh. Teza shkon bashkë me testet dhe kalon pastaj në qendrat e provimit. Sot unë i kam sjellë drejtoreshës së Agjencisë së Provimeve një numër telefoni të mbyllur që e ka vetëm ajo dhe komunikon me ministrin dhe zëvendësministrin në raste emergjente. Për shembull, nëse ka një problem blackout-i, një problem teknik. Vetëm drejtoresha ka një numër”, u shpreh zv.ministri.
Fondi i pyetjeve nga ku do të përzgjidhet teza finale është sa 20 (njëzet)-fishi i kërkesave që do të përmbajë testi. Bazuar në këtë rregull, për Gjuhë-Letërsinë, testi i së cilës përmban 25 pyetje, janë përgatitur 500 pyetje. Do të hartohen 7 lloje të ndryshme testesh, përshtatur drejtimit të shkollës. Secila prej tyre ka fond pyetjesh të posaçëm. Provimi i Letërsisë do të zgjasë 2 orë e 30 minuta. Do të përmbajë 25 pyetje gjithsej, nga të cilat 13 me alternativa dhe 13 me zhvillim. Lloji i parë i pyetjeve do të vlerësohet me 1 pikë për secilën. Duke iu përgjigjur saktë, nxënësit mund të grumbullojnë në total 13 pikë. Pyetjet me zhvillim do të kenë peshë tri herë më të lartë. Në total, duke dhënë përgjigjen e drejtë për këtë grup, maturanti merr 37 pikë. Për të marrë notë maksimale në provimin e Letërsisë, një nxënësi do t’i duhen 50 pikë. Pasi të kryhet vlerësimi i të gjitha testeve, do të vendoset një tavan pikësh që lejon tolerancën për marrjen e notës minimale dhe maksimale. Në test do të ketë pyetje për të gjitha nivelet e nxënësve. Për të dobëtit, që përgjithësisht marrin notën 5 ose 6, do të ketë pyetje në masën 40%. Në këtë mënyrë, këta maturantë do të mund të marrin pikët e nevojshme në provim, sa për të mos rezultuar mbetës. Niveli i dytë i pyetjeve, ku hyjnë nxënësit mesatarë të notave 7 dhe 8, do të zërë në çdonjërin prej testeve po 40% të totalit. Në këtë grup pyetjesh do të ketë testim të dijeve të maturantëve jo thjesht për njohuritë bazë, por për njohuri më të thella, për të cilat mund të përgjigjen ata maturantë që përpiqen të mësojnë ose kanë qenë sistematikë. Niveli i parë, ose i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë, do të ketë 20% hapësirë në test. Maturantët do të testohen jo më vetëm për njohuritë që kanë marrë gjatë shkollës së mesme, por edhe për kreativitetin e tyre individual. Këtë vit risi është se vlerësimi do të behët edhe në qytetin e Korçës, ndërkohë që do të jetë sërish korrigjimi me dorë nga tri gupe vlerësuesish, njëri pas tjetrit.

40 mijë maturantë konkurrojnë këtë vit për në shkollat e larta. Në rast se nuk marrin njërin nga provimet, ata nuk do të pajisen me dëftesën e maturës. Maturantët e mëparshëm që kanë dhënë lëndët me zgjedhje, mund të mbartin rezultatet.

Vlerësimi në 6 qendra, 10 ditë për përgjigjet

Vlerësimi i testeve do të realizohet në 6 qendra, 2 prej të cilave në Tiranë, ndërsa të tjerat në rrethe. Nga sa ka përcaktuar MASH, transporti i testeve nga Tirana për në secilën nga qendrat e vlerësimit, Elbasan, Shkodër, Fier, Korçë dhe anasjelltas, do të bëhet nën masa të rrepta sigurie. Nga sa bën me dije MASH, shpërndarja e testeve në disa qendra numërimi garanton më shumë transparencë në vlerësim. Testet kodifikohen dhe shpallja e rezultateve bëhet jo më vonë se 10 ditë pas çdo provimi të maturës. Ekspertët bëjnë me dije se do të jenë 7 teza të ndryshme provimi, të ndara këto sipas profilit të shkollës së mesme që maturanti ka kryer. Maturantët duhet të paraqiten në shkollë një orë përpara fillimit të provimit. Kandidatët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së caktuar nuk duhet të dalin nga klasa. Maturantët nuk hyjnë në provim nëse nuk janë në listat e AVA-s, apo nëse nuk kanë mjet identifikimi. Ata gjithashtu nuk do të lejohen të nisin testimin në rast se kanë telefon celular me vete. Në rast se kapen duke kopjuar, automatikisht përjashtohen nga provimi dhe humbin të drejtën për t’u testuar edhe për lëndët e tjera. Për kopjacët do të ketë penalizime tepër të forta. Nëse përjashtohen nga një provim, ata nuk kanë të drejtë të japin as 3 të tjerët. Automatikisht mbeten pa dëftesën e maturës, si dhe pa shkollë të lartë.
(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment