Topi: Zgjedhjet permbushen standardet

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vlerësoi procesin e zgjedhjeve vendore të 8 majit si të suksesshëm dhe sipas standardeve demokratike, ndërsa theksoi se shteti shqiptar dhe qytetarët janë të ndërgjegjshëm për sfidat dhe detyrimet që i presin përpara gjatë rrugëtimit integrues për në Bashkimin Evropian.
Deklarata e Presidentit Topi u bë gjatë takimit që zhvilloi sot me Presidentin e Turqisë, Abdullah Gyl, gjatë qëndrimit në Stamboll, ku po zhvillohen punimet e Konferencës së 4-t të Kombeve të Bashkuara mbi Vendet më pak të Zhvilluara.Në bashkëbisedimin mes dy personaliteteve të larta u vlerësua niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe miqësia tradicionale e historike mes popujve tanë, për të cilat Presidenti Topi dhe homologu turk, Gyl, shprehën besimin se do të zhvillohen e thellohen më tej, në dobi të interesave e angazhimeve të përbashkëta, në fusha të shumta e të rëndësishme të zhvillimit të vendeve tona.
Kreu i Shtetit shqiptar, duke vlerësuar edhe njëherë mbështetjen e pakursyer të shtetit e popullit mik të shqiptarëve, Turqisë, edhe në momente me rëndësi jetike për vendin tonë, shprehu mirënjohje për ndihmesën e madhe në të gjitha fushat, por veçanërisht në atë të mbrojtjes, në kuadër të angazhimit të vendit tonë si anëtar i NATO-s, në misionet paqeruajtëse në Afganistan e Irak, ku forcat ushtarake të të dyja vendeve tona kanë dhënë kontributin e tyre krah për krah në dobi të forcimit të paqes në botë.
Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl, pasi vlerësoi rolin moderator të Presidentit Topi në konsolidimin e shtetit shqiptar, por dhe në skenën politike shqiptare, e siguroi se shteti turk do të mbështesë fuqimisht Shqipërinë në hapat e saj të rëndësishëm të përforcimit të shtetit demokatik.
Gjatë bisedës, Presidenti Topi dhe Presidenti Gyl diskutuan edhe për rëndësinë që mbart mbajtja e Konferencës së 4-t të Kombeve të Bashkuara mbi Vendet më pak të Zhvilluara, pasi nxit liderët e vendeve më të fuqishme të demonstrojnë më tepër mbështetje e përkrahje për vendet që kanë nevojë për progres, për të patur një zhvillim global ekonomik, mirëqënie e stabilitet.

(ikub.al)

No comments:

Post a Comment