Topi i dha votën Ramës?

Pak orë më parë, në transmetimin direkt nga televizionet dhe këtu në portalin Albeu, u hap kutia ku presidenti Topi votoi ditën e zgjedhjeve, kuti në të cilën presidenti hodhi gabimisht fletën e votimit, gjë e cila u kap nga kamerat dhe u transmetua me ditë të tëra në të gjitha televizionet në Shqipëri.

Në këtë kuti që u hap para kamerave në KQZ, doli vetëm një votë e hedhur gabimisht, ndërsa votuesi kishte votuar për Edi Ramën.

Sonte, Presidenti i Republikës nxori para mediave këshilltaren e tij për mediat Mimoza Koçiu, që të publikojë një deklaratë në emër të tij, ku as pohonte dhe as mohonte nëse ka votuar për Edi Ramën, ndërsa hidhte akuza të forta ndaj mazhorancës.

Koçiu tha se Presidenti hedh poshtë spekulimet lidhur me votën e fshehtë të hedhur më 8 maj.

Më tej, zëdhënësja e Presidentit të Republikës, zonja Mimoza Koçiu deklaroi: "Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, hedh poshtë me neveri spekulimet politike dhe mediatike lidhur me votën e tij të fshehtë të dhënë me 8 maj për organet e qeverisjes vendore. Presidenti i Republikës e ka ushtruar të drejtën e tij kushtetuese të votës si çdo qytetar tjetër, me bindjen e plotë se vota e çdo qytetari është dhe duhet të jetë e fshehtë, siç përcaktohet nga Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.
Çdo qytetar i interesuar ka patur rastin të shohë në formë publike e vizive aktin e votimit të Presidentit, si votim i rregullt, ligjor dhe korrekt. Çdo aludim tjetër, mbetet produkt i sajuar politik e mediatik, i lidhur me kontekstin politik të ditës si dhe për tërheqjen e vëmendjes nga problemet e mëdha që po shfaq vonesa në administrimin ligjor të rezultatit të zgjedhjeve."
(albeu.com)

No comments:

Post a Comment