Tiranë: Atmosferë tensionesh

 
Situata jashtë ndërtesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve paraqitet pak më e qetë, ndryshe nga ç’ishte disa orë më parë kur mbështetës të Partisë Socialiste tentuan të thyejnë kordonin e policisë, në përpjekje për të hyrë brenda institucionit kryesor që administron procesin zgjedhor, transmeton Rel.

Si pasojë e këtij konfrontimi fizik, policia e shtetit njoftoi se të paktën dy pjesëtarë të saj janë lënduar lehtë dhe janë dërguar në spital për mjekim. Ndërsa, nga radhët protestuesve nuk raportohet për të plagosur.

Aktualisht, përfaqësues të PS-së, deputetë dhe përkrahës, janë tërhequr në këto momente nga ambienti jashtë ndërtesës së KQZ-së.

Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i zgjedhjeve vazhdoi mbledhjen e nisur që prej orës 10 të paradites, me gjithë zhvillimet jashtë ndërtesës së KQZ-së.

Ndërkaq, vazhdon procesi i numërimit të të tjera votave të cilësuara të kontestuara. Nga numërimi i deritashëm, kandidati i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, rezulton të jetë në avantazh krahasuar me kandidatin e Partisë Socialiste Edi Rama.

Në mbledhjen e Komisionit nuk munguan debatet dhe akuzat politike mes përfaqësuesve të njërës apo tjetrës palë në KQZ.

Ndërkohë, protesta të ngjashme me atë para KQZ-së u mbajtën edhe në disa qytete të tjera të vendit, si në Gjirokastër, Lezhë etj, ku mbështetës të PS-së bllokuan edhe rrugën kombëtare.

Ky tensionim i situatës në vend ka bërë që të anulohet vizita e presidentit të KE-së Hose Manuel Barroso, e planifikuar për ditën e premte.

Edhe gjatë ditës së mërkurë ka pasur reagime nga KE-ja, nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Ketrin Eshton, e cila u bëri thirrje palëve të gjejnë zgjidhje.

Ashton, gjithashtu, nënvizoi se udhëheqësit politikë në Tiranë mbajnë përgjegjësi të veçantë për të mos vënë në rrezik jetën e qytetarëve.

Tension para godinës së KQZ, mbeten të lënduar 4 policë

Ora 15:00
Është tensionuar situata para godinës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërkohë që po numërohen votat e panumëruara për kryebashkiak të Tiranës.

Mbështetësit e opozitës se bashku me disa deputetë të Partisë Socialiste tentuan të hyjnë brenda godinës.

Ata kanë shtyrë forcat e policisë dhe janë përplasur me gardhin e krijuar nga uniformat blu.

Në krye të turmës që kërkon të çajë kordonin e policisë ndodhet deputeti Saimir Tahiri.

Nga konfrontimet, mbetën të lënduar katër punonjës policie, një nga te cilët është dërguar menjëherë për të marrë ndihmën mjekësore.

Mbështetësit e Partisë Socialiste kanë ushtruar presion mbi forcat e policisë duke i hedhur edhe shishe e sende të forta, transmeton ABC.

(shqipmedia.com)

No comments:

Post a Comment