Tirana ngre Kupën dhe kap Europën, Dinamo ka edhe 1 ndeshje mbijetese

Tirana fiton Kupën e Shqipërisë për herë të 14-të, portieri Lika pret 3 penallti
Tirana - Dinamo 1-1 (4-3 11-m)
Tirana: I. Lika, Lila, Dushku, Osmani, Gvozdenoviç, G. Lika (Bala 54′), Karabeci (G. Muça 46′), Lilaj, Zizoviç (Sina 92′), Pejiç, Hyka. Trajner: M. Krstiçeviç.
Dinamo: Hoxha, Malota (A. Daja 1’sht.), Miloviç, Malakarne, Ferraj, Vila, Orelesi, Opoku, Allmuça, Martinena, Brkiç (Peqini 91′). Trajner: A. Mërgjyshi.
Gjyqtarë: L. Jemini, D. Rexha, E. Barushi (Tiranë)
Kartonë të verdhë: G. Muça, Osmani (2), Pejiç \ Martinena, Orelesi, Peqini (2)
Kartonë të kuq: Osmani, Peqini

Tirana është fituesja e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2010-2011. Nuk ka mjaftuar koha e rregullt, as dy shtesat nga 15 minuta, por finalja e djeshme është zgjidhur te 11-metërshat. Aty ku bardheblutë kanë pasur portierin Lika hero, i cili ka pritur jo pak, por tri penallti të gjuajtura nga Ferraj, Miloviç dhe Opoku dhe ka meritën kryesore në fitimin e trofeut nga Tirana.

Nuk duhet mohuar edhe forma e mirë e kolegut të tij në portën dinamovite, Alban Hoxha, i cili ka pasur fat në gjuajtjen jashtë të 11-metërshit të Balës dhe ka pritur atë të kapitenit Lila.

Duke iu rikthyer 90 minutave, pavarësisht se blutë kaluan në avantazh të parët me anë të Brkiçit, bardheblutë barazuan në pjesën e dytë me “bomberin” Pero Pejiç. Duhet theksuar se në ndeshjen e djeshme u vu re qartë në të dy pjesët një mori rastesh të humbura para portës kundërshtare nga lojtarët e të dy ekipeve.

Mbi të gjitha ka qenë një derbi që ka pasur brenda spektaklin, lojën e fortë, kartonët e verdhë dhe të kuq, shtesat, tifozët, por edhe penalltitë.

Pjesa e parë

Të dy trajnerët kishin aktivizuar lojtarët me gjendje fizike më të mirë. Tirana ndryshe nga ndeshjet e fundit të kampionatit, dje në “Niko Dovana” luajti me skemën 4-5-1. Një mbrojtje ku në vend të Sinës është aktivizuar Lila dhe vendet e tjera të repartit difensiv u janë besuar Osmanit, Dushkut dhe Gvozdenoviçit.

Në mesfushë G.Lika nga e djathta Hyka nga e majta, në qendër të mesfushës Karabeci dhe Lilaj, kurse në rolin e fantazistit është aktivizuar boshnjaku Zizoviç, që ishte edhe në ndihmë të Pejiçit, i vetëm në sulm.

Kurse blutë mundoheshin që të kapnin në gafil mbrojtjen bardheblu, aty ku Brkiç ishte i vetëm në majën e sulmit, por mbështetej nga e djathta nga argjentinasi Martinena dhe nga e majta nga Opoku.

Pavarësisht se bardheblutë mund të kalonin të parët në avantazh, pasi kanë qenë fare pranë golit me G.Likën dhe Hykën, tri minuta më vonë kanë qenë blutë që kanë kaluar në avantazh me serbin Brkiç, i cili është shërbyer saktë nga Allmuça dhe përballë Likës sulmuesi i bluve nuk ka falur.

Tirana pas pësimit të golit bëhet më agresive, ndërsa Dinamo përpiqet të ruajë qetësinë dhe të administrojë avantazhin. Bardheblutë kanë të tjera raste me G.Likën, Dushkun dhe Karabecin, por pjesë e parë përfundon me avantazhin e ngushtë të bluve.

Pjesa e dytë

Trajneri Krstiçeviç aktivizon G.Muçën në vend të Karabecit për të freskuar mesfushën, edhe pse është dukur një ndërhyrje e nxituar. Ndërkohë që blutë janë më të freskët në minutat e para të fraksionit të dytë, disa herë shfaqen rrezikshëm me daljet e Vilës, që së bashku me Allmuçën kanë qenë dy “motorët” e bluve.

Kur pritej që Dinamo të dyfishonte shifrat, ka barazuar Tirana, falë një asisti të kapitenit Lila për Pejiçin dhe kroati nuk ka falur para portës së Hoxhës. Pas golit të Tiranës, loja bëhet më agresive për disa minuta, të dyja skuadrat kërkojnë golin e avantazhit, blutë kanë mundësinë më të mirë të shënojnë me Brkiçin dhjetë minuta para fundit, por serbi është treguar i pasaktë.


Shtesa

Koha e rregullt përfundon në barazim, ndërkohë që në shtesën e parë Dinamo duket më e freskët pas futjes në fushë të Peqnit dhe Dajës. Në të dy shtesat nga 15 minuta dallohen gjuajtjet e Vilës dhe Martinenës për Dinamon që nuk kanë mundur të shënojnë.

Një minutë para përfundimit të shtesës së dytë, Sina ka “shkaktuar” drithërima te blutë, sepse me një goditje pa pretendime nga 35-m, topin e ka ndalur traversa. Përfundojnë edhe dy shtesat në barazim 1-1, fatet e lojës i përcaktojnë 11-metërshat.

Për Tiranën kanë ekzekutuar saktë Pejiç, Gvozdenoviç, Sina dhe G.Muça, kurse Bala ka gjuajtur jashtë, ndërsa topin e gjuajtur nga Lila e ka pritur Hoxha. Për blutë gjuajtën saktë Vila, Malakarne dhe Allmuça, kurse Ferraj, Miloviç dhe Opoku janë ndalur nga “gardiani” Ilion Lika.

(www.sportishqiptar.com.al)

No comments:

Post a Comment