Shqipëria renditet si vendi që shpenzon më pak në rajon në fushën e Shëndetësisë. Ndonëse nga viti 2005 duket se janë rritur shpenzimet për frymë, prapë kjo rritje nuk ka qenë ë mjaftueshme për të kapur fqinjët tanë, Maqedoninë apo Malin e Zi. Studimet kanë treguar se ekziston një lidhje midis pasurisë apo varfërisë së një vendi, dhe shpenzimeve për shëndetësinë për frymë. Sa më i pasur një vend, aq më shumë shpenzon ai për shëndetin e tij dhe anasjelltas. Gjithashtu, është vërejtur një lidhje e drejtë midis shpenzimeve për shëndetësinë për frymë dhe jetëgjatësisë së popullsisë. Sa më shumë të shpenzohet për shëndetësinë, aq më mirë jetojnë njerëzit, gjë që ndikon në jetëgjatësinë e tyre. Nisur nga këto fakte, ODA ka kryer një hulumtim midis vendeve të rajonit për Shpenzimet Totale për Shëndetësinë (SHTSH) për frymë, të shprehura në dollarë, bazuar në Paritetin e Fuqisë Blerëse. Duke iu referuara edhe të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, shifrat e rendisin Shqipërinë si vendi që shpenzon më pak në rajon për frymë për shëndetësinë. Prej vitit 2005 duket se janë rritur shpenzimet për frymë, por prapë kjo rritje nuk ka qenë ë mjaftueshme për të kapur fqinjët tanë, Maqedoninë apo Malin e Zi. Përkundrazi, diferenca me ta është thelluar. Llogaritja e një mesatareje të SHTSH për frymë në tre vitet e fundit, 2007-2009, mundëson një pamje më të qartë të renditjes së vendeve të rajonit lidhur me këtë tregues. Shqipëria është e fundit, me 549 $/frymë dhe ka një diferencë jo të vogël me vendin e dytë, Maqedoninë, rreth 30% më pak. Ende më larg qëndron Mali i Zi, me SHTSH për frymë 2 herë më shumë apo Greqia, që kryeson listën, me mbi 5 herë më shumë. Situata paraqitet më interesante kur merret në shqyrtim % e SHTSH ndaj PBB-së. Shqipëria është e parafundit (vetëm 0.003% më shumë se sa Maqedonia) në rajon, por ajo ka bërë shumë hapa përpara që prej vitit 1995, duke angazhuar gjithmonë e më shumë fonde për shëndetësinë. Ndërkohë që Maqedonia është vendi që ka përjetuar një rënie të vazhdueshme nga 10.1% në 1998-n, në 6.9% në vitin 2009. Në mesataren e llogaritur për periudhën 2007-2009, listën e kryeson Bosnja dhe Hercegovina, e cila ka përjetuar edhe rritje të lartë të SHTSH për frymë që prej vitit 2003. Ajo që mund të thuhet në fund të kësaj analize është që Shqipëria ndodhet ende larg standardeve të sigurimit të një shërbimi shëndetësor brenda parametrave të fqinjëve tanë, e akoma më larg standardeve të BE-së. Nëse nuk ka një angazhim të mjaftueshëm të fondeve, në paga, investime, mirëmbajtje, etj, ndalim të pagesave nën dorë dhe menaxhim efektiv dhe eficent të burimeve në dispozicion, shifrat do të vazhdojnë ta rendisin Shqipërinë si një ndër vendet që nuk investon mjaftueshëm në cilësinë e jetës që iu ofron qytetarëve të saj.
No comments:
Post a Comment