Rreth 100 vende të reja pune do të ofrohen për studentët e sapodiplomuar, por edhe kategori të tjera që janë të interesuar për një vend pune. Në Tiranë është çelur panairi i punës, i organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë si dhe Ministria e Punës. Përfaqësuesit e këtyre dy institucioneve, u shprehën se kjo është një mundësi e mirë për të rinjtë që të integrohen në tregun e punës. Kriteret e përzgjedhjes bazohen në nivelin e lartë arsimor që duhet të kenë kandidatët, por edhe të eksperiencës ndër vite. “E veçanta është që në këtë panair kërkohen punonjës të specializuar pasi kjo është një kërkesë e tregut. Firmat private duan që punonjësit më të mirë të tyre të merren drejtpërdrejt nga tregu i punës,” tha Floreta Luli Faber, kryetare e Dhomës Amerikane të Tregtisë. “Fakti është që prej 11 vitesh, pavarësisht luhatjeve dhe zhvillimeve ekonomike të ndryshme, një eveniment i tillë që ka të bëjë me tregun e punës funksionon, dhe ajo çka është më e rëndësishme është se funksionon duke rritur cilësinë dhe sasinë e tij,” tha më tej Kastriot Sulka, zv/ministër i Punës. Në këtë panair do të konkurrojnë rreth 1000 kandidatë, ndërkohë që janë vetëm 100 vende pune.
No comments:
Post a Comment