Luhatje të forta kanë pësuar dje bursat botërore të naftës, pas publikimit të lajmit mbi vdekjen e terroristit arab, Osama Bin Laden. Në orët e para të ditës së djeshme, çmimi i karburanteve nisi të ulej, por nuk vijoi shumë, pasi rreth pasdites niveli i “arit të zi” pësoi rritje të ndjeshme. Në Nju Jork, nafta bruto (light crude) avancon drejt çmimit 114,42 dollarë për fuçi, nga niveli i ulët prej 110,82 dollarë që arriti pas lajmit. Nafta Brent në Bursën e Londrës pësoi një shtrenjtim akoma e më të madh. Rritja e vazhdueshme me 25 cent e çoi karburantin në vlerën e 126,14 dollarëve për fuçi, pasi kishte prekur kuotën më të ulët, prej 121,67 dollarësh.Rritja e çmimit të naftës padyshim që po shqetëson ekonomitë e vendeve të fuqishme, sa i takon aspektit industrial, aq sa ekspertët po theksojnë gjithnjë e më shumë ndikimin që do të japë karburantit në ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në tregun vendas, çmimi i naftës dhe benzinës vijon të mbetet i lartë, si pasojë e ndikimeve që japin tregjet e huaja.
No comments:
Post a Comment