Studim, rrezik i paparashikuar për Megatërmet në Bolivi

Dy milionë bolivianë janë të ekspozuar ndaj rrezikut për një tërmet që mund të arrijë fuqinë 8,9 ballë, një megatërmet që do të ishte 125 herë më i fortë se sa vlerësimet e mëparshme, mësohet nga një studim i publikuar sot.
Kemi të bëjmë me një zbulim, i paraqitur në revistën shkencore britanike "Nature", që përbën një të papritur edhe për vetë shkencëtarët.
"Askush nuk dyshonte se vlerësimet e mëparshme ishin të nënvlerësuara", thekson Benjamin Brooks, gjeofizikan në Universitetin amerikan Hawaï Manoa dhe autori kryesor i këtij studimi.
Sipas llogaritjeve të kryera deri tani, të bazuara në një histori tërmetesh relativisht të qetë për këtë zonë, fuqia e një tërmeti në rajonin që ndodhet në lindje të Andeve Qendrore nuk i kalon 7,5 ballët.
Por, një analizë e hollësishme e të dhënave GPS të bëra në anën lindore të vargmalit sugjeroi se tensionet nëntokësore që grumbullohen atje që prej shekujsh mund të shkaktojnë një tërmet me fuqi 8,7 deri 8,9 ballë.
Këto të dhëna tregojnë në fakt se zona që ndodhet në perëndim të shtresës nëntokësore në Mandeyapecua, me orientim veri-jug, është zhvendosur shumë më tepër se zona që ndodhet në lindje të kësaj shtrese. Sipas shkenëctarëve, një seksion relativisht pak i thellë i kësaj shtrese është i bllokuar në rreth 100 kilometra dhe pikërisht atje grumbullohen tensionet e shkaktuara nga takimi i dy pllakave tektonike që ndodhen në rajon.
"Çarja e të gjithë këtij seksioni 'të kyçur' gjatë një tërmeti të vetëm mund të çojë në një tërmet 8,9 ballë", thekson Brooks.
"Shpresojmë se këto informacione do të bëhen gjerësisht publike në Bolivi dhe do të merren parasysh nga njerëzit të cilët mund të jenë më të prekurit", deklaron ai.
Megjithatë, është e pamudur të mësohet se kur mund të ndodhë një megatërmet i tillë. Në fakt, një seri tërmetesh të dobët mund të shpërndajnë tensionet e tokës pa shkaktuar megatërmet.
(balkanweb.com)

No comments:

Post a Comment