Spitali i Lezhës, pajiset me aparatura të teknologjisë së lartë

Në vijim të projektit “Përmirësimi i pajisjeve mjekësore”, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka qenë i pranishëm në inaugurimin e urgjencës së spitalit të Lezhës. Departamenti i urgjencës së spitalit të Lezhës, përmes këtij investimi, është pajisur me aparatura të teknologjisë së fundit, mes tyre eko me ngjyra, defibrilator, autoklavë, pajisja radiologjike e lëvizshme etj., dhe njëkohësisht me marrjen e dy ambulancave të reja do të ofrohet edhe dhënia e shërbimit të urgjencës në automjet. Në fjalën e tij ministri Vasili theksoi se shëndetësia shqiptare është projektuar tashmë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, me objektiva të qarta që synojnë vendosjen e saj në një nivel sa më të kënaqshëm për popullatën. “Qyteti i Lezhës, përmes këtij investimi, përfiton një shërbim urgjence bashkëkohore me aparatura të njëjta me standardet e ofruara edhe në kryeqytet duke bërë kështu të mundur orientimin e diagnozës në një kohë më të shkurtër”, u shpreh Vasili. Në vijim të fjalës së tij, kreu i shëndetësisë shqiptare vuri në dukje se përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së shërbimeve shëndetësore përbën sfidën me të cilën përballet sistemi shëndetësor shqiptar ndaj dhe përveç përmirësimit të teknologjisë dhe forcimit të kapaciteteve të burimeve njerëzore, vijnë edhe këto inaugurime të njëpasnjëshme, si ky në qytetin e Lezhës, provë kjo që tregon se programi i Ministrisë së Shëndetësisë ka si qëllim prioritar përmirësimin rrënjësor të shërbimeve dhe përafrimin e tyre me standardet europiane.

No comments:

Post a Comment