Shfrytëzimi i inerteve pa kriter rrezikon jetën e banorëve

Elbasan, shkelje mbi shtratin e lumit Devoll dhe përroin e Papërr Sallakut.
Shfrytëzimi i inerteve në basenet ujore të Qarkut të Elbasanit është kthyer në një problem tepër serioz për jetën e banorëve që ndodhen pranë lumenjve, të cilët rrezikohen që të preken nga përmbytjet. Konkretisht gazeta “Shqip” ka konstatuar shkelje mbi shtratin e lumit Devoll dhe përroin e Papërr Sallakut. Mbi këto basene, në mënyrë të pandërprerë firmat vazhdojnë të marrin materiale inerte, duke shkaktuar një masakër të vërtetë. Shfrytëzimi pa kriter i baseneve të këtyre lumenjve ka bërë që gjendja të jetë alarmante. Marrja e inerteve pa kriter rrezikon jetën e banorëve të Papërr Sallakut, të cilët për të ardhur në qytet kalojnë përmes përroit si pasojë e mungesës së rrugës. Gropat e krijuara janë të rrezikshme dhe të pakalueshme për banorët. Sipas drejtorit të baseneve, Shaqir Kuka, i cili pasi është informuar nga gazetarët e “Top Medias”, ka shkuar në terren për të verifikuar këtë fakt dhe ka konstatuar shkelje në Komunën Papërr. Mbi këtë firmë inerte kjo drejtori ka marrë masat që i jep pushteti i ligjit, duke bllokuar punën dhe pas procesverbalit Kuka pretendon që firmës do t’i vendoset një gjobë që kap vlera të konsiderueshme parash. I pyetur nëse Drejtoria e Baseneve është në dijeni për shfrytëzimin e inerteve mbi lumin Devoll, Kuka është përgjigjur se nuk ka konstatuar shkelje në këtë zonë. Mbi Devoll, një firmë kontrabandë merr inerte nga ky basen, i cili e shfrytëzon për të shtruar rrugët e komunave përreth Gramshit. Por, nga ana tjetër, Kuka kërkon bashkëpunim mes instancave përkatëse, sepse një drejtori e vetme nuk ka mundësi që të kontrollojë të gjitha pasuritë ujore të qarkut. Ai kërkon që policia e komunave apo bashkive të njoftojnë apo denoncojnë rastet pranë Agjencisë së Baseneve. Por edhe Inspektorati Ndërtimor dhe Task-Forca e ngritur pranë prefekturës kanë përgjegjësinë e tyre për të kryer kontrolle dhe për të marrë masat që ligji ua ngarkon. Nëse ato do të bashkëpunonin, atëherë shkeljet apo abuzimet do të ishin më të pakta. Për të gjitha firmat operuese, puna është pezulluar deri në një afat të përcaktuar. Në Qarkun e Elbasanit operojnë gjithsej 34 firma të shfrytëzimit të inerteve, por numri ka qenë edhe më i madh, ndërsa 7 prej tyre nuk u është rinovuar leja për shfrytëzimin e baseneve ujore. Një pjesë e konsiderueshme e firmave punojnë kontrabandë, duke masakruar të gjithë shtretërit e lumenjve.

No comments:

Post a Comment