Sondazhi i Gallup: Shqipëria si Afrika Sahariane, merr frymë nga paratë e emigrantëve

Një sondazh i publikuar sot nga Gallup në lidhje me dërgesat e emigrantëve zbulon se Shqipëria e Kosova renditen ndër vendet me përqindjen më të lartë të popullsisë që mbahet nga paratë e emigrantëve. Të bie në sy se vendet që kryesojnë listën janë vendet më të varfra në planet dhe i përkasin kryesisht Afrikës Sahariane. Në vend të parë është rajoni i Somalilandit, ku 40 përqind e njerëzve mbahen nga paratë e emigrantëve. Lista vijon me Komorret, Zimbabvet, Haitin. Në vend të shtatë është Kosova ku 23 përqind e popullsisë marrin remitanca. Shqipëria është në vend të 13-të me 20 përqind, pas Taxhikistanit e para Liberisë e Hondurasit.

Dërgesat e emigrantëve janë jetike për ekonominë shqiptare. Megjithatë, të dhënat e fundit thonë se këto dy vite kanë shënuar rënien më të madhe të remitancave. Banka Botërore ka paralajmëruar për gjetjen e burimeve të tjera për ekonominë, në mënyrë që ajo të mos marrë frymë tek remitancat e emigrantëve, që do vijnë gjithnjë në ulje.
(www.gazetatema.net)

No comments:

Post a Comment