Të shkruarit me dorë, vë në lëvizje trurin më tepër sesa të shkruarit në kompjuter. Në këtë rezultat ka arritur një grup i përbashkët studiuesish francezë dhe norvegjezë, sipas të cilit gjatë shkrimit me dorë në një letër, truri vihet më tepër në lëvizje pasi sytë ndjekin formimin e shkronjës. Po të ndjekim formimin e shkronjës “S” vëmë re lakimet të cilat janë pjesë përbërëse e kësaj shkronje. Ky veprim vë në lëvizje më shumë zona të trurit, sesa kur po e njëjta shkronjë formohet në kompjuter vetëm duke e shtypur një buton në tastierë. Studiuesit thonë se shkrimi me dorë zhvillon shumë herë më tepër aftësitë pamore, sesa mënyra e shkrimit në kompjuter. Për këtë arsye, tek fëmijët është e rëndësishme mësimi i shkrimit dhe shprehja e ideve nëpërmjet tij. Këtu kompjuteri, me anë të programeve të specializuara, për të korrigjuar gabimet dhe për të dhënë një tekst më korrekt i heq mundësinë fëmijëve të vënë në veprim trurin për t’i dhënë zgjidhje këtyre problemeve. Sot nëpër shkolla po kërkohet gjithnjë e më shumë përdorimi i kompjuterave në vend të librave dhe kjo tregon se ai nuk është aspak i papërfillshëm.
No comments:
Post a Comment