Tatimet: 25 mijë biznese nuk kanë vendosur pajisje fiskale

Projekti, edhe bashkitë do të kenë kontroll mbi të dhënat e kasave.Procesi i kasave fiskale duket se është bllokuar i tëri. Pjesa dërrmuese e bizneseve është pajisur me kasë, por mbeten edhe rreth 25 mijë subjekte, të cilat nuk i kanë vendosur dhe që rrezikojnë të gjobiten. Fushata elektorale dhe amnistia fiskale që fal gjobat e kasave për biznesin e vogël duket se ka demotivuar një pjesë të subjekteve.

Tatimet deklarojnë se kontrolli për fiskalizimin e bizneseve do të nisë shumë shpejt dhe nuk do të tolerohet asnjë subjekt. “Në rang vendi janë pajisur me kasa rreth 56 mijë e 500 subjekte, nga rreth 82 mijë që ishin planifikuar për t’u pajisur”, tregojnë burime zyrtare nga tatimet. Në rang vendi numërohen rreth 123 mijë subjekte të regjistruar te QKR-ja, por jo të gjithë janë aktivë, sikurse jo të gjithë janë objekt i ligjit për vendosjen e kasave, si shërbimet, apo sektori i ndërtimit.

Administrata tatimore deklaron se shumë shpejt do të vihet në funksion një tjetër projekt që lejon njësitë vendore, bashkitë dhe komunat, të kontrollojnë të dhënat mbi xhirot e subjekteve nën administrimin e tyre. Të dhënat që transmeton kasa fiskale për çdo shitje të kryer shikohet online, për këtë arsye shërbimi i ri shikohet në interes të njësive vendore.

Megjithatë, problem shikohet përdorimi i kasës dhe lëshimi i kuponit tatimor. Procesi i fiskalizimit nuk mbyllet vetëm me vendosjen e kasës, por edhe me përdorimin e saj, që është objekti kryesor i qeverisë. Për këtë çështje, ministria e Financave ndryshoi ligjin e gjobave, duke dyfishuar sanksionet që shkojnë deri në 500 mijë lekë. Por duket se as gjoba nuk po i sensibilizon si duhet bizneset. Tatimet po mendojnë një tjetër plan, atë të instalimit të një programi, që monitoron dhe analizon përdorimin e kasës.

Aktualisht, projekti i fiskalizimit është zhvendosur te magazinat doganore. Interesi te këto pika është tepër i madh për shkak të volumeve dhe vlerave të larta. Pas Porto Romanos dhe ARMO-s, tashmë pritet fiskalizimi i Petroliferës dhe i magazinave të tjera doganore.

No comments:

Post a Comment