Sarandë, tritol makinës së oficerit të policisë

Një sasi eksplozivi shpërtheu dje në makinën e komandantit të grupit të gatshëm të Komisariatit të Policisë së Sarandës.
Objektivi i radhës i eksplozivëve ka qenë mjeti privat i efektivit të policisë, Aleksandër Lilo. Automjeti i tij ka shpërthyer nga një sasi lënde eksplozivi e llojit tritol, vënë dy orë pas mesnatës, pranë banesës së oficerit. Ngjarja, sipas Policisë lokale, ka ndodhur rreth orës 02:20 të së hënës, në lagjen Nr. 4 Sarandë. Automjeti tip “Audi” me targa të huaja VV 33 BFA, ishte parkuar pranë banesës së oficerit të policisë. Dyshohet se, pasi oficeri ka lënë makinën në parkim dhe është ngjitur në banesën e tij, persona ende të pa identifikuar kanë vendosur eksplozivin në mjet. Shpërthimi i fortë ka tronditur gjithë lagjen ku banon oficeri i policisë në Sarandë. Nisur nga ky fakt, por edhe nga dëmtimet në makinë, policia tha se dyshohet që sasia e eksplozivit ka qenë e madhe dhe e llojit tritol. Menjëherë pas shpërthimit në vendngjarje janë gjendur menjëherë forcat e Komisariatit të Policisë Sarandë.
Hetimi
Nga këqyrja e bërë, ka rezultuar se sasia e eksplozivit ishte vendosur në pjesën e përparme të makinës, ndërsa për ta ndezur është përdorur një fitil, i cili është gjendur pranë mjetit. Dëmet materiale kanë qenë të shumta, jo vetëm në automjet, por edhe në mjedisin përreth. Dyshohet se ngjarja ka lidhje me detyrën e oficerit të policisë, pistë mbi të cilën po punon edhe grupi hetimor, edhe pse nuk ka prova që mund të çojnë në zbardhjen e autorëve. Ky nuk është rasti i pari që oficeri Aleksandër Lilo bie pre e keqbërësve, pasi edhe më parë makina e tij është dëmtuar me mjete të forta. Dy vite më parë, persona ende të paidentifikuar i kanë shkatërruar automjetin me mjete të forta. Rasti më i fundit është i orëve të para të së hënës, ka pasuar dhe disa shpërthime të tjera shumica e të cilave janë ende të pazbardhura nga policia. Prej shtatorit 2008, në të njëjtën lagje, janë shkatërruar me zjarr apo eksploziv edhe automjete si ajo e oficerit të policisë gjyqësore, Ismail Lala, automjeti i shefit të krimeve, Ilir Zhupa, automjeti i ish-prokurorit Arben Koka, një autobus, një servis makinash, disa automjete qytetarësh, ndërsa në një rast është vendosur eksploziv pranë stadiumit të qytetit. Pak ditë më parë, 25 plumba kallashnikovi janë zbrazur mbi një pikë basti, ende asnjë nga këto ngjarje nuk është zbuluar. E, ndërsa autorët e këtyre krimeve të rënda po kërcënojnë dita ditës qytetin, nga organet ligjvënëse nuk ka asnjë person të dyshuar dhe të arrestuar. Burimet nga Policia e Sarandës kanë deklaruar dje se nuk kanë ndonjë pistë të qartë në lidhje me ngjarjen, veç dyshimeve se vendosja e eksplozivit në makinën e oficerit ka lidhje me detyrën e tij në strukturat e rendit.

Ekspertizat në vendin e ngjarjes

Ekipi hetimor i policisë ka marrë dje në vendin e ngjarjes në Sarandë të gjitha mostrat e nevojshme për kryerjen e analizave kriminale mbi shpërthimin e ndodhur në makinën e oficerit Aleksandër Lilo. Policia tha se ka mbledhur thërrmijat e lëndës plasëse, me qëllim ekzaminimin e saj shkencor për të përcaktuar llojin e lëndës së përdorur. Po kështu, në vendin e ngjarjes janë marrë edhe prova të tjera, ndërsa në Komisariatin e Policisë janë shoqëruar edhe disa shtetas, të cilët po merren në pyetje në lidhje me ngjarjen.

(panorama.com.al)

No comments:

Post a Comment